Shkodra nuk thahet, 1400 Ha nën ujë, në Lezhë situata drejt përmirësimit

Pavarësisht se situata e motit në vendin tonë ka nisur duke u përmirësuar në shkodër 1400 hektarë sipërfaqe mbeten nën ujë. Në Lezhë sipërfaqja e përmbytur është ulur në 230 hektarë. Ndërkohë zonat malore të Shkodrës janë mbuluar nga dëbora, por shumica e rrugëve janë të kalueshme.

1400 hektarë tokë vijojnë të jenë nën ujë në zonën e Nënshkodrës.

Rruga për në fshatin Obot edhe të martën ka prezencë uji në masën e 75 centimetrave, ndërsa oborret e 15 banesave atje janë të përmbytura.

Pavarësisht situatës nivelet e lumenjve dhe liqenit të Shkodrës janë stabile.

Niveli i lumit Drin në hidrometrin tek ura e Bahçallëkut shënon kuoten 6.10 metra, ndërsa kuota maksimale është 7.50 metra, ndërsa niveli i Liqenit në hidrometrin tek ura e Bunës shënon 8.55 metër ndërsa kuota maksimale është 8.70 m

Informacionet zyrtare flasin për 10 fshatra të Njësisë Administrative Temal që nuk kanë energji elektrike, si dhe në të gjitha fshatrat e Njësisë Administrative Shllak.

Sa i përket reshjeve të dëborës aksi Bogë-Theth është funksional ndërsa Me rënien e temperaturave po punohet për hapjen e segmentit rrugor në Qafë Thore që është bllokuar nga dëbora.

Nga ana tjetër situata e krijuar nga përmbytjet në Lezhë ka njohur sërish përmirësim.

Sipas të dhënave zyrtare të Emergjencave Civile, sipërfaqja e përmbytur është zvogëluar në 230 hektarë, nga 350 që ishte të hënën.

Lumi Drin është në nivelin 0.6 m, nga +2.0 m që është kuota kritike,  kurse kuota e lumit Mat vazhdon të kete gjendje të ngritur duke shkuar tek normalja, për shkak të shkarkimeve të hidrocentraleve Ulëz e Shkopet

Në juglindje disa fshatra përfshirë ato turistikë janë përfshirë nga reshjet dëborës ndërsa raportohet se të gjitha akset janë të hapura, përveç atij të fshatit të Panaritit.

Shkodra nuk thahet, 1400 Ha nën ujë, në Lezhë situata drejt