A do ta lëshojë Rama një tjetër ministër? Kushtetuesja rrëzon Kuvendin e Berishën, në lojë padia e Alibeajt
Gjykata Kushtetuese rrëzon Kuvendin për Olta Xhaçkën, dhe tashmë do t’i duhet të pranojë kërkesën e opozitës për të dërguar në Gjykatën Kushtetuese ligjshmërinë e mandatit të deputetes të Ministres së Jashtme Olta Xhaçka.
Kjo pasi me vendimin e 18 janarit, Gjykata pranon padinë e grupit të Alibeajt duke shpallur si antikushtetues vendimin e socialistëve për mos ta çuar në Gjykatën Kushtetuese legjitimitetin e mandatit të deputetes për ministren e jashtme.
VENDIMI I KUSHTETUESES PËR PADINË E ALIBEAJT
Gjykata Kushtetuese në datën 18.01.2023, në orën 10:00, mori në shqyrtim në seancë plenare publike çështjen me nr. 9 (NJ) 2022 Regjistri Themeltar, me kërkues jo më pak se 1/10 e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, me objekt: “Zgjidhja e konfliktit të kompetencave ndërmjet Kuvendit të Shqipërisë dhe subjektit kushtetues në konflikt, jo më pak se 1/10 e deputetëve. Deklarimi i vendimeve nr. 83, datë 17.11.2022 “Për mosmiratimin e raportit të pakicës parlamentare në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, me objekt konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka” dhe nr. 84, datë 17.11.2022 “Për miratimin e raportit të shumicës parlamentare në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, me objekt konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka” të Kuvendit të Shqipërisë, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”, në mbështetje të neneve 131, shkronja “ç”, si dhe të neneve 54, 55, 56, 72 e vijues të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me shumicë votash, VENDOSI:
1. Pranimin e kërkesës.
2. Zgjidhjen e konfliktit/mosmarrëveshjes së kompetencës ndërmjet Kuvendit të Shqipërisë dhe subjektit kushtetues në konflikt, jo më pak se 1/10 e deputetëve.
3. Shfuqizimin e vendimeve nr. 83, datë 17.11.2022 “Për mosmiratimin e raportit të pakicës parlamentare në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, me objekt konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka” dhe nr. 84, datë 17.11.2022 “Për miratimin e raportit të shumicës parlamentare në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, me objekt konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka” të Kuvendit të Shqipërisë, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.
Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për procedurat gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.
VENDIMI I KUSHTETUESES PËR PADINË E BERISHËS
Sa i takon padisë së grupit të Berishës, gjykata e ka rrëzuar me argumentin se përpara se sa të shqyrtohet legjitimiteti i mandatit duhet të shprehet Kuvendi.
“1. Për kërkimin e parë, sipas objektit të kërkesës, që lidhet me shfuqizimin e vendimeve nr. 83/2022, datë 17.11.2022 të Kuvendit të Shqipërisë “Për mosmiratimin e raportit të pakicës parlamentare në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, me objekt konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka” dhe nr. 84, datë 17.11.2022 “Për miratimin e raportit të shumicës parlamentare në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, me objekt konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka”, gjykimi duhet të pushohet, pasi me vendimin e mëparshëm të saj, nr. 1, datë 23.01.2023, Gjykata Kushtetuese vendosi shfuqizimin e këtyre vendimeve.
2. Për kërkimin e dytë, sipas objektit të kërkesës, që lidhet me konstatimin e papajtueshmërisë në ushtrimin e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, gjykimi i çështjes duhet të pushohet, pasi për këtë kërkim do të duhet të shprehet më parë Kuvendi i Republikës së Shqipërisë.
Për këto arsye, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, bazuar në nenet 131, pika 1, shkronja “e”, të Kushtetutës, si dhe në ligjin nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me shumicë votash,
VENDOSI: Pushimin e gjykimit të çështjes.
SEANCAT E 18 JANARIT
Kushtetuesja i mbajti seancat për çështjen “Xhaçka” në datën 18 janar 2023, ku brenda të njëjtës ditë do të trajtoheshin dy padi, në të dyja palë e paditur Kuvendi dhe deputetja Xhaçka. Opozita ka argumentuar në kërkesën për Gjykatën Kushtetuese se mandati i deputetes së Partisë Socialiste Olta Xhaçka është i pavlefshëm për shkak se bashkëshorti i saj ka përfituar pasuri publike me shpalljen si investitor strategjik nga Komiteti i drejtuar prej kryeministrit Rama.
Kompania që do të ndërtojë një resort luksoz në bregdetin e jugut, ka marrë nga qeveria në përdorim për 30 vjet një plazh në Dhërmi. Duke iu referuar ligjit për konfliktin e interesit, deputetët demokratë sjellin si argument se përfitimet nga pasuria publike e bashkëshortit te ministres së Ramës janë njësoj sikur të ishin të regjistruara në emër të vetë ministres. Prandaj, sipas tyre, Gjykata Kushtetuese duhet te vendosë për heqjen e mandatit të deputetes Olta Xhaçka.
Vetë Ministrja i ka rrëzuar më herët këto akuza dhe është shprehur se nuk ka asgjë të paligjshme në vendimet e qeverisë.
Partia Socialiste ka rrëzuar dy herë kërkesat e opozitës për ngritjen e një komisioni hetimor për investimet strategjike, që do të përfshinte edhe hetimin e përfitimit të pasurisë publike nga bashkëshorti dhe familjarë të tjerë të zonjës Xhaçka. Për rastin e shpalljes investitor strategjik të bashkëshortit të ministres Olta Xhaçka, grupi parlamentar i PD, i përfaqësuar nga Gazment Bardhi, ka kallëzuar në SPAK për shpërdorim detyre kryeministrin Edi Rama, në cilësinë e Kryetarit të Komisionit për Investimet Strategjike.
Por megjithëse kanë kaluar afro 7 muaj nga ky denoncim, Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion nuk ka vendosur ende se çfarë do të bëjë me çështjen e radhës të politikës shqiptare.
Sipas këtij vendimi, Kuvendi detyrohet ta dërgojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese dhe mandati i Xhaçkës të shqyrtohet në themel.
Sakaq kërkesa tjetër e grupit të deputetëve të përfaqësuar nga Agron Shehaj është pushuar për shkak të mosplotësimit të kuorumit.



