Moti i keq në Dibër, dëbora izolon disa fshatra, mungesë dhe të energjisë elektrike

Moti i keq që ka përfshirë vendin tonë në ditët e fundit ka sjellë problematika dhe në qarkun e Dibrës.

Në njësinë Lurë prej 4 ditësh është bllokuar lëvizja dhe bëhet vetëm drejt Rëshenit edhe pse me vështirësi, pasi rruga nga njësia Lurë drejt Peshkopisë është e bllokuar nga bora.

Shumë fshatra të Dibrës janë bllokuar pasi trashësia e borës shkon deri në 40-50 cm.

Po kështu edhe në disa fshatra të thella të Bulqizës janë krijuar probleme nga bora, si Tërnova e Madhe dhe Tërnova e Vogël dhe në disa fshatra të Martaneshit, ku trashësia e dëborës shkon në mbi 40 cm .

Gazetari i Ora News raporton se ka pasur mungesë të energjisë elektrike në disa fshatra.

Probleme krijohen edhe në rrugën e Arbrit tek By-Pasi  në qafën e Murrizit. Dhe në këto momente që flasim në zonat e thella vazhdojnë reshjet e dëborës. Katër bashkitë e Qarkut të Dibrës kanë dërguar borëpastruset në fshatrat e thella për hapjen e rrugëve.