"70 mm shi në 6 orë", Ndreu: Pa ndërhyrjen e Bashkisë do ishte bërë katastrofa në Lezhë

Lezha ishte nga qytetet më të goditura nga stuhia me reshje shiu. Kreu i Bashkisë Pjerin Ndreu tha se situata mbetet shqetësuese por në kontroll.

"Situata ka qenë vërtet shqetësuese dhe vazhdon akoma të jetë shqetësuese. Kanë rënë 70 mm shi vetëm për 6 orë dhe ka qenë një intensitet i paparë ndonjëherë. Situata pasdite është përmirësuar, edhe  tani po bien reshje por jo me intensitet. Moti nuk i dihet por nga parashikimet intensiteti i reshjeve do të bjerë. Jemi në një situatë të vështirë por të menaxhueshme".

Për Ora News me gazetarin Everest Dedaj ai tha se disa zona vijojnë të kenë probleme me furnizimin e energjisë elektrike.

Ndreu ju përgjigj dhe akuzave të opozitës për mungesën e investimeve në kanalet kulluese, duke deklaruar se pa ndërhyrjene bashkisë një intensitet i tillë reshjesh do kishte shkaktuar një katastrofë.

"Kjo situatë me kaq reshje shiu po të mos kishim ndërhyrë ne do ishte bërë një masakër në qytet që do të ishte mbajtur mend për gjatë. 70 mm shi për 6 orë, nuk ka qytet në botë që mund ta përballojë këtë fluks. Po mos të kishim bërë investime në 400 metra kanale kulluese dhe disa ndërhyrje në qytet situata do të ishte sot një katastrofë. Falë punës së bashkisë situata është e vështirë por jo në limitin e  problematikave të rasteve të ngjashme. Kemi vetëm qendrën e qytetit me ujë, zonat periferike por nuk është situatë jashtë kontrollit. Prezencë uji ka në këto zona por tërheqja e ujit është shumë e shpejtë".

Kreu i Bashkisë tha se synon që kësaj problematike ti japë zgjidhje brenda këtij viti.

"Brenda vitit merr fund njëherë  e mirë historia e përmbytjeve në Lezhë, pasi qeveria shqiptare dhe bashkia Lezhë ka një kontratë tashmë me  KfË gjermane për një sistem të disiplinimit të ujërave të shiut në të gjithë zonat e qytetit kryesisht, bashkë me ujërat e zeza, që do bëjë që kurrë më Lezha nuk do të ketë probleme në asnjë situatë të ngjashme".

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.