Probleme nga veriu në jug, moti i keq bllokon disa rrugë, dhjetëra fshatra pa energji
Situata e reshjeve në vendin tonë ka shkaktuar probleme nga veriu në jug të vendit. Në Lezhë ka pasur bllokim rrugësh, ndërsa dhjetëra fshatra në të gjithë vendin janë pa energji elektrike për shkak të prishjes së rrjeteve dhe dëmtimit të fibrave. Ndërkohë 56 shkolla në të gjithë vendin kanë pezulluar mësimin.
Këto janë pamjet e rrugës Lezhë-Milot gjatë ditës së enjte.
Rruga u bllokua nga reshjet e shumta, ndërsa banorët e zonës dhe shoferët thanë se institucionet ishin treguar indiferente.
"E shikoni vetë sa problem është, përveç gazetarëve nuk ka ardhur njeri."
"Janë 20 kamionë të bllokuar në kthesë."
Moti keq me reshje shiu dhe erë të fortë ka krijuar probleme dhe me furnizimin me energji elektrike në shumë zona të Lezhës.
Dëmtimi i linjave elektrike ka lënë në errësirë shumë fshatra.
Situatë e rëndë me reshjet paarqitet edhe në Durrës.
Disa rrugë të qytetit janë përmbytur, ndërsa një urë në fshatin Fushë Draç në Ishëm është shembur.
Në Korçë rrëzimi i një çatie në tregun e mallrave ushqimorë ka rrezikuar jetën e tregtarëve por dhe qytetarëve, të cilët ndodheshin në ato momente në afërsi të këtij tregu.
Shkak është bërë era e fortë, e cila ka rrëzuar pjesën më të madhe të çatisë së magazinave të mallrave ushqimorë.
Në Vlorë, lumi Vjosa ndodhet ende në shtratin e tij, ndërsa gjatë së enjtes niveli i lumit ka shkuar në 5.50 metra, rreth një metër larg pikës kritike.
Situata e motit të paqëndrueshëm në vendin tonë ka bërë që në të gjitha portet e vendit të pezullohet lundrimi i anijeve të peshkimit dhe mjeteve të tjera të vogla.
Ndërkohë Ministria e Arsimit dhe e Sportit ka njoftuar se në të gjithë vendin janë mbyllur 56 shkolla deri në qetësimin e situatës.
