Begaj për tensionet në veri të Kosovës: Çdo acarim në Ballkan i shërben agresorit
Shqipëria do të vijojë të qëndrojë në krah të Ukrainës dhe bashkëaleancës euroatlantike. Këtë premtim Presidenti Begaj e bëri gjatë pritjes së përfaqësuesve të trupit diplomatik në Shqipëri.
“Shpresa jonë është që konflikti të marrë fund dhe agresori të zërë mend, duke kuptuar se kemi mjaft sfida për të përballuar globalisht, dhe luftërat e hapura të integritetit të vendeve e popujve nuk duhet të jenë pjesë e këtyre sfidave”, tha Begaj.
Më tej ai u ndal tek sulmi kibernetik i Iranit ndaj Shqipërisë, të cilin e vlerësoi si të strukturuar në skuta totalitare.
“Sulmi kibernetik ndaj shtetit shqiptar, sulm i strukturuar në skuta totalitare dhe i lëshuar dëshpërimisht ndaj një vendi të lirë e demokratik. Ndoshta agresorët e fshehur pas pushteteve anti-demokratike mendojnë se vendi ynë i vogël gjeografikisht mundet shpejt e thjeshtë. Por mesa duket, nuk njohin as historinë, dhe as Shqipërinë.”
Tensionet e shkaktuara në Veri të Kosovës, pasuar me tentativat serbe për të kaluar me ushtarë kufirin, sipas Begaj i shërbejnë vetëm agresorit.
"Nuk mund të them nëse provokimi me barrikada të vendosura nga elementë me të shkuar kriminale dhe tentativa për ndërhyrje aktive në territorin e Kosovës nga ana e Serbisë, ka të bëjë me një logjikë agresioni të ngjashëm me skenarin në Ukrainë. Por një gjë është e qartë, çdo acarim në Ballkan i shërben shpërndarjes së vëmendjes dhe të forcës euroatlantike. Pra, i shërben agresorit".
Në përfundim të fjalës së tij para trupës së huaj diplomatike në vendin tonë, Begaj uroj që marrëdhëniet midis vendeve të orientohen nga politika shtetërore afatgjata me prioritet paqen.
