Na përmbyti natyra apo pushteti? Politikanët përplasen me deklarata

Qindra hektarë tokë ndodhen nën ujë prej mëngjesit të së entjes në vendin tonë, ndërsa zona të tëra janë në rrezik. Në këto kushte përfaqësues të opozitës kanë sulmuar pushtetin për këtë situatë, ndërsa qeveria thotë se natyra është tërbuar.

Situata e reshjeve që ka krijuar problematikat në shumë pjesë të vendit ka përplasur edhe politikanët.

Për kryebashkiakun e Shkodrës, Bardh Spahia, situata është dramatike, ndërsa ai ka drejtuar gishtin nga Koorporata Energjitike Shqiptare për përmbytjet në Nënshkodër.

Spahia ka apeluar për kompensim të dëmeve që janë shkaktuar në këto zona.

"KESH përveçse të përfitojë nga shitja e energjisë duhet detyrimisht të marrë përsipër kompensimin."

Për të njëjtat përmbytje në Nënshkodër, prefektja Majlinda Angoni pranon që situata është kritike por thotë se është e menaxhueshme.

"Jemi në një situatë shumë të menaxhueshme."

Deputetja demokrate, Lindita Metaliaj, në deklaratë për mediat ka bërë dhe bilancin e pëmbytjeve të fundit në Lezhë.

Ajo tha se rreth 11.2 hektarë janë të përmbytur ashtu si dhe qyteti i Lezhës.

Arsyeja, tha Metaliaj është mosinvestimi nga Bashkia dhe pushteti qëndror.

"Në Hidrovore nuk ka pasur investime, nuk investohet në lumin Drin, në thellimin e lumit."

Ndërkohë në një deklaratë për media Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, ka thënë se situata në Shkodër është rreth 1 metër nga pika kritike dhe se situata nuk është e pamenaxhueshme.

"Për ditën e sotme parashikohet të ketë rritje të prurjeve në lumenjtë Drin, Buna, Mat dhe Vjosë.Për pasojë pritet të kemi shtim të përmbytjeve në Nnëshkodër. Rrezik të shtuar për përmbytje në vazhdim të ditës së sotme dhe të nesërme do të ketë dhe në lumin Vjosa."

Në lidhje me situatën ka reaguar edhe ish-kryeministri Sali Berisha dhe kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta, të cilët akuzojnë pushtetin për mungesën e investimeve.