Pazaret e prishura të drogës jashtë Shqipërisë, ja kë do vrisnin në 2021-n dy baxhanakët që u kapën në Spanjë

Pazaret e prishura të drogës jashtë Shqipërisë, ja
Në foto Preng Paluca me bashkëshorten e tij, dhe të arrestuarit për atentatin e dështuar ndaj tyre

Dy personat e arrestuar në Madrid dhe Barcelonë janë shtetasit Edmir Vlashi dhe Hektor Ndoka, të cilët akuzohen se kishin planifikuar, bashkë me disa të tjerë, t’i kryenin atentat një grupi kriminal që e kishin rival. Bëhet fjalë për Operacioni e 8 dhjetorit të vitit 2021, ku u arrestuan 4 persona, ndërsa Vlashi dhe Ndoka u shpallën në kërkim.

Ndërkohë, gjatë operacionit u sekuestruan lëndë eksplozive C4, dy armë automatike, dy kallashnikovë, snajperë, mijëra euro, fishekë e kapsolla detonatorë.

Sipas bluve të Lezhës, Edmir Vlashi dhe Hektor Ndoka, rezulton se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin planifikuar të kryenin vrasjen me eksploziv me telekomandë të dy vëllezërve Preng dhe Ndoc Paluca në qytetin e Tiranës, ngjarje kjo që fatmirësisht u parandalua nga policia në atë kohë.

Vrasja thuhet se do të kryhej për shkak të konflikteve të mëparshme në lidhje me prishjen e pazareve të drogës, jashtë shtetit.

Gazetari Elton Qyno raporton se dy personat që deri sot ishin në kërkim nga policia shqiptare Edmir Vlashi dhe Hektor Ndoka janë baxhanakë me njëri-tjetrin, dhëndurë në familjen e Nikoll Markut.

Sa i përket ngjarjes së mbetur në tentativë dy baxhanakët kishin futur minat me telekomandë dhe 89 mijë e 900 euro në shtëpinë e vjehrrit dhe vjehrrës së tyre.

Armët dhe eurot u gjetën në shtëpi nga policia. Ndërsa dy personat u identifikuan nga policia nga kamerat e shtëpisë dhe restorantit të vjehrrit dhe vjehrrës së tyre.

Ndërkaq, pak muaj para kësaj ngjarjeje, konkretisht më 7 gusht 2021 Preng Paluca mbeti i plagosur pas një atentati të bërë pranë derës së shtëpisë në rrugën “Kosova”, Kamzë. Prenga ishte në makinë me bashkëshorten Antoneta Prenga dhe vajzën e tyre kur u qëlluan. Atëherë u tha se çifti mund të ishte qëlluar me silenciator pasi nuk është dëgjuar zhurma e të shtënave.

50-vjeçari në atë kohë, Preng Paluca, mori plumb në brinjë ndërsa gruaja në këmbë, por pa rreik për jetën.

Pazaret e prishura të drogës jashtë Shqipërisë, ja
Në foto Preng Paluca me bashkëshorten e tij, dhe të arrestuarit për atentatin e dështuar ndaj tyre