“Gazzetta Dello Sport” thur elozhe për Kumbullën: Roma fitoi një mbrojtës
Marash Kumbulla është kryefjala e momentit të skuadra e Romës ku pas dy ndeshjeve titullar me fanellën verdhekuq, duket se ka hyrë në orbitën e planeve të Josë Mourinhos. E përditshmja “Gazzetta Dello Sport” i kushton një shkrim të gjatë shtatlartit kuqezi, i cili ka punuar që skuadra të mos pësojë asnjë gol në 180 minuta shumë të rëndësishme për Romën këtë sezon.
“Falë punës së përditshme ka fituar besimin e trajnerit Jose Mourinho. Për shumë tifozë, rikthimi i tij titullar është një surprizë ndërsa deri në këto momente numëron 229 minuta. Ai ka treguar përherë dëshirë dhe dedikim në seancat stërvitore për t’u përmirësuar”, shkruan “Gazzetta Dello Sport” që përqëndrohet më pas te statistikat.

Në 180 minutat mes Kupës dhe kampionatit, numri 24 i ka dhënë përgjigje pozitive trajnerit. Ai ka dalë fitues në 59 % të rasteve ndërsa fitoi 9 kontraste. 12 topa të rikuperuar dhe 6 topa të diskutuar të rikuperuar. Paraqitje që bëri që mungesa e Smalling fillimisht dhe Ibanez më pas të mos ndihej aspak në fushën e lojës.
