Kukësi humbet edhe vëllezërit Taipi? Klubi e mohon...

Kukësi rrezikon të humbasë edhe dy mesfushorët, Gjelbrim e Shqiprim Taipi. Klubi dhe lojtarët kanë vendosur të ndërpresin bashkëpunimin për shkaqe që ende nuk dihen por situata u paralajmërua në seancën e fundit stërvitore ku ata munguan.

Gjelbrim Taipi që ishte edhe kapiten i skuadrës, konsiderohej një element i fortë në boshtin e skuadrës së Rahmanit që këtë sezon lufton për mbijetesën dhe momentalisht renditet në vendin e fundit të Kategorisë Superiore me 16 pikë pas 16 javëve të para.

Gjithsesi, nëpërmjet një komunikate, klubi verilindor ka hedhur poshtë zërat për ndërprerjen e bashkëpunimit me dy lojtarët.

Komunikata;

FK Kukësi hedh poshtë lajmet e publikuara ditën e sotme në median e shkruar, aty ku aludohet për largimin e kapitenit Gjelbrim Taipi dhe mesfushorit Shqiprim Taipi. Klubi i Kukësit përgënjeshtron këto lajme të rreme dhe informon tifozët dhe median e shkruar se Gjelbrim Taipi dhe Shqiprimi Taipi janë dhe do të mbeten pjesë e ekipit tonë.

Klubi i Kukësit i bën thirrje të gjitha mediave, të shkruara dhe vizive që të tregohen më të kujdesshëm në shkrimin e lajmeve të rreme dhe së pari, të tregohen profesionistë.

Klubi i Kukësit ka qenë i hapur për mediat për çfarëdo lloj informacioni dhe në këtë mënyrë kërkon të konfirmojnë informacionet para se të publikojnë gjëra jo të vërteta.

Zyra e shtypit
FK Kukësi