Josa me fjalë të mëdha për Balajn: Nuk ka nevojë të flas unë për cilësitë e tij
Mirel Josa “fërkon duart”, Bekim Balaj i shtohet armatës shkodrane dhe tashmë skuadra e tij mund të hedhë një hap të madh e të rivalizojë si e barabartë me ekipet e kryeqytetit.
Trajneri i Vllaznisë, në konferencën për shtyp në prag të transfertës së Kupës në Ballsh, në mënyrë të paevitueshme nuk mund të mos flasë për temën kryesore të ditës, Bekim Balajn.
Mirel Josa:
“Nuk kam nevojë që të flas unë për Bekimin. Duhet të përqendrohemi komplet te ndeshja e Ballshit, e cila është shumë e rëndësishme për ne, sepse luajmë në dy kompeticione. Balaj është në proces stërvitor. Një lojtar që stërvitet individualisht nuk mund ta marr me vete sepse ka nevojë për seanca të tjera stërvitore. Nuk ka asnjë problem me Bekimin që nuk do të luajë në Ballsh. Sepse do të luajë ndeshjen tjetër që e kemi përsëri në Ballsh.
Merkato e Vllaznisë nuk është e mbyllur deri me datë 31. Kështu që do të presim çfarë mund të bëjmë në këtë drejtim dhe pastaj të vazhdojmë punën.
Duke pasur parasysh kthesën që kanë marrë lojtarët. Skuadra është e plotë. Do të mundohemi që të hedhim në fushë lojtarët më të freskët.Latifi jo, Boshnjaku jo, Bulatoviç jo, Aralica jo. Këta janë lojtarët që nuk do të jenë për shkak dëmtimi”.
