Dhuna ndaj shqiptarëve në kufirin me Malin e Zi, Spahia: Skandaloze, të hetohet rasti
Kreu i bashkisë së Shkodrës, Bardh Spahia ka reaguar lidhur me dhunën e ushtruar ndaj shqiptarëve në kufirin mes dy vendeve.
Ai shkruan se ky është nja akt skandaloz që nuk i bëjnë nder asnjë trupe policie në asnjë vend të botës dhe se autoritetet shqiptare duhet të reagojnë.
Ai shton se autoritetet e shtetit të Malit të Zi duhet ta hetojnë rastin në fjalë dhe t’i japin dënimin e merituar veprimeve të tilla që nuk i shërbejnë aspak raporteve miqësore mes dy vendeve tona.
Spahia: Të papranueshme dhe tejet të rënda janë këto pamje që u bënë publike nga media. Dhuna ndaj qytetarëve që lëvizin në kufirin mes Shqipërisë dhe Malit të Zi përmes pikës së kalimit kufitar të Muriqanit, është një akt skandaloz i elementëve që nuk i bëjnë nder asnjë trupe policie në asnjë vend të botës.
I bëj thirrje autoriteteve shqiptare që të kërkojnë me forcë zbardhjen e ngjarjes dhe dënimin e këtyre akteve. Autoritetet e shtetit të Malit të Zi duhet ta hetojnë rastin në fjalë dhe t’i japin dënimin e merituar veprimeve të tilla që nuk i shërbejnë aspak raporteve miqësore mes dy vendeve tona dhe punës se madhe që është bërë deri në funksionimin me një doganë të përbashkët. Sot mbi gjithçka prevalon ligji dhe aktet e dhunës ndaj qytetarëve janë të papranueshme, aq më tepër nga uniforma e shtetit!

