Begaj i jep medaljen ambasadorit Walker, Basha i pranishëm: Me fat që kemi një mik të tillë
Presidenti i vendit, Bajram Begaj, la dhënë sot medaljen e “Kalorësit të Urdhrit të Flamurit” për ambasadorin William G. Walker.
Ndërkohë, në këtë ceremoni në Presidencë ka qenë i pranishëm edhe ish-kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Sikurse mund të shihet nga fotot e vetë Bashës, por edhe presidentit Begaj, Basha ka qenë me bashkëshorten e tij Aurela Basha dhe deputetët, Flamur Hoxha, Kreshnik Çollaku e Orjola Pampuri.
Basha: I lumtur të isha pjesë e ceremonisë së nderimit të Ambasadorit William G. Walker, me një nga titujt më të lartë të Republikës së Shqipërisë, atë të “Kalorësit të Urdhrit të Flamurit” akorduar nga Presidenti i Republikës. Ne shqiptarët jemi përjetë mirënjohës dhe me fat që kemi miq të tillë si Ambasadori Walker.
Duke e cilësuar masakrën e Reçakut si krim kundër njerëzimit, ai u shndërrua në zërin e të vërtetave të dhimbshme të Kosovës në kohët më të vështira, çka solli ndërgjegjësimin e faktorit ndërkombëtar për krimet dhe spastrimin etnik që po kryente regjimi i Milosheviçit në Kosovë. E ndërsa përpjekjet për të barazuar viktimën me agresorin vazhdojnë nga politika e Beogradit, Ambasadori Walker mbetet zëri i fuqishëm i së vërtetës, i masakrave dhe genocidit mbi popullin e pafajshëm të Kosovës dhe një mik i vyer që vazhdon ti gjendet pranë asaj dhe shqiptarëve kudo ku janë.
Ambasadori Walker është një personalitet ndërkombëtar, diplomat dhe humanist, i pari që ekspozoi në mbarë botën si “një krim kundër njerëzimit” masakrën e Reçakut, ku u masakruan dyzet e pesë qytetarë të pafajshëm nga trupat ushtarake dhe paraushtarake të regjimit të Millosheviçit.

