Tërmeti dëmton 23 shtëpi, banorët e prekur në disa fshatra të Dibrës e kalojnë natën jashtë
Tërmeti i të dielës dëmtoi 23 shtëpi në qarkun Dibër. Problemet më të mëdha janë vërejtur në ato banesa që janë dëmtuar nga tërmetet e mëparshme. Grupet e punës kanë nisur evidentimin e pasojave në terren, ndërsa banorët të frikësuar thonë se do t`i kalojnë netët jashtë pasi shtëpitë u rrezikojnë jetën.
Mure të çara nga dyshemeja në tavan. Familja Hoxha me 7 anëtarë, më i vogli ende në djep, është një prej më të dëmtuarave në fshatin Xibër Hane të Klosit.
"Shumë panik, dolëm jashtë të gjithë."
Tërmeti i të dielës gati ua ka shkatërruar shtëpinë.
"Plasjen më të madhe e ka marrë mbrëmë, dyshemenë e ka lëviz shumë."
Thonë se rrezikojnë jetën nëse qëndrojnë brenda saj ndaj edhe netët do i kalojnë jashtë.
"Kishim frikë me u fut brenda."
Prefekti i Dibrës, Nexhbedin Shehu, tregon së në total janë dëmtuar 23 banesa.
"Më shumë ka Klosi me 13 banesa, 8 banesa Xibri dhe 25 banesa Gurra."
Shkollat e qendrat shëndetësore nuk kanë pësuar dëme.
"Kemi dëmtime vetëm në banesa."
Këtë të hënë janë ngritur grupet e punës për evidentimin e pasojave të tërmetit.
Por në disa fshatra të qarkut Dibër, banorët thonë se askush nuk ka shkuar t`i shohë.
"Dola nga shtëpia, më mirë të marr plavitje sesa të vdes."
Dëmet i kanë të mëdha pasi banesat u janë prekur edhe nga tërmetet e viteve të shkuara.
"Dëme të lehta u ka bërë."
Disa detyrohen të qëndrojnë në qiell të hapur në temperatura të ulëta e të tjerë thonë se do të gjejnë strehë te të afërm.
"Do shkojmë te njerëzit tanë, është çarë komplet shtëpia."
Mes ndërtesave të dëmtuara është edhe ky pallat në Bulqizë, i cili ka pësuar plasaritje edhe në tërmetin e vitit 2019.
Në Klos ditët e fundit janë regjistruar disa tërmete më i madhi ishte ai i të dielës me magnitudë 4.7 i shkallës Rihter.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.
