Në kërkim të Mateo Likës, pa sukses edhe kërkimet me magnet, operacioni rinis të martën

Kërkimet për 26-vjeçarin, Mateo Lika, kanë rezultuar pa sukses edhe pas përdorimit të magnetit përgjatë lumit Seman. Operacioni është ndërprerë për të rifilluar të martën.

Efektivët e policisë por edhe banorë të zonës kanë nisur për të dytën ditë me radhë këkimet për 26- vjeçarin, Mateo Lika. Dyshimet janë që makina e 26-vjeçarit të ketë rënë në lumin Seman por ende nuk ka asnjë gjurmë të tij.

Vazhdon të mbetet mister fati i 26-vjeçarit, Mateo Lika, i cili prej të dielës ka humbur kontaktet me familjarët, ndërsa ende nuk ka asnjë të dhënë nëse automjeti është në ujërat e lumit Seman apo pas përplasjes me parmakët e urës është larguar që aty.

Ta dyja pistat vazhdojnë ende të jenë nën hetimin e bluve të Fierit, ndërsa kontrollet si në ujërat e lumit Seman ashtu edhe në zonat përreth vijojnë prej së dielës.

Kërkimet në Seman u ndërprenë pasditen e së hënës, edhe pas përdorimit të magnetit, për të rifilluar sërish të martën.

Polumbarët e forcave RENEA kërkuan me orë tëra në ujërat e lumit, por nuk arritën të gjenin automjetin e apo shenja të mjaftueshme për të çuar në prova konkrete se makina ka rënë në ujë.

Për të mundësuar kërkime më të plota u kërkua mbyllja e portave të Gramshit, që sjellin edhe uljen e prurjeve në lumin Seman. 

Telefoni i 26-vjeçarit vijon të jetë i fikur dhe vendodhja e tij dhe automjetit të marrë me qira bëhet edhe më i vështirë.

Makina nuk ka qenë e pajisur me GPS, ndërsa nga kamerat e sigurisë nuk arrihet të identifikohet qartë lëvizja e Mateo Likajt.

Fakti që deri më tani nuk është bërë asnjë denoncim tjetër, çon që të mendohet se 26-vjeçari mund të udhëtonte i vetëm.

Në pyetje janë marrë të njohur të të riut e kontaktet e këtij të fundit për të mësuar lëvizjet përpara se të zhdukej.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.