Holta Zaçaj zgjidhet anëtare e Gjykatës Kushtetuese, zëvendëson Vitore Tushën

Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë kanë zgjedhur Holta Zaçajn anëtare të Gjykatës Kushtetuese.

Mësohet se Holta Zaçaj është zgjedhur pasi mori gjashtë vota. Bëhet me dije se Zaçaj do të zëvendësojë në këtë detyrë Vitore Tushën dhe bëhet zyrtarisht anëtarja e nëntë e kësaj trupe.

Njoftimi:

Në përfundim të procesit të votimit, rezultoi se kandidatja Holta Zaçaj mori 6 (gjashtë) vota dhe kandidatja Elsa Miha mori 6 (gjashtë) vota, ndërkohë që 3 (tre) vota u shpallën të pavlefshme.

Në zbatim të nenit 7/ç, pika 4, ku thuhet: “Për çdo vend vakant votohet për secilin nga kandidatët e renditur në tre vendet e para të listës. Kandidati që merr tri të pestat e votave të gjyqtarëve të pranishëm shpallet i zgjedhur. Nëse nuk arrihet shumica e nevojshme, kandidati i renditur i pari nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi konsiderohet i zgjedhur”, komisioni deklaroi fituese kandidaten Holta Zaçaj.

Në këto kushte, Mbledhja e Posaçme e gjyqtarëve vendosi që znj. Holta Zaçaj zgjidhet anëtare e Gjykatës Kushtetuese.

Ky vendim i njoftohet menjëherë, Kryetarit të Kuvendit, Presidentit të Republikës, Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese dhe i dërgohet për botim Qendrës së Publikimeve Zyrtare.