Bie niveli i Semanit pas mbylljes së portave, polumbarët e RENEA-s nisin kërkimet për 26 vjeçarin e zhdukur
Efektivët e policisë por edhe banorë të zonës kanë nisur për të dytën ditë me radhë këkimet për 26 vjeçarin Mateo Lika. Dyshimet janë që makina e 26 vjeçarit të ketë rënë në lumin Seman por ende nuk ka asnjë gjurmë të tij.
Vazhdon të mbetet mister fati i 26 vjeçarit Mateo Lika, i cili prej të dielës ka humbur kontaktet me familjarët, ndërsa ende nuk ka asnjë të dhënë nëse automjeti është në ujrat e lumit Seman apo pas përplasjes me parmakët e urës është larguar që aty.
Ta dyja pistat vazhdojnë ende të jenë nën hetimin e bluve të Fierit, ndërsa kontrollet do të vijnë si në ujrat e lumit Seman ashtu edhe në zonat përreth, me shpresën për të gjetur automjetin.
Të hënën në mëngjes kanë rinisur kërkimet në lumin Seman me magnet, me shpresën për të gjetur makinën.
Të dielën për më shumë se 4 orë polumbarët e forcave Renea kërkuan në ujrat e lumit, por nuk arritën të gjenin automjetin, apo shenja të mjaftueshme për të çuar në prova konkrete se makina ka rënë në ujë.
Për të mundësuar kërkime më të plota u kërkua mbyllja e portave të Gramshit, që sjellin edhe uljen e prurjeve në lumin Seman.
Telefoni i 26 vjeçarit vijon të jetë i fikur dhe vendodhja e tij dhe automjetit të marrë me qira bëhet edhe më i vështirë.
Makina nuk ka qenë e pajisur me gps ndërsa nga kamerat e sigurisë nuk arrihet të identifikohet qartë lëvizja e 26 vjeçarit. Fakti që deri më tani nuk është bërë asnjë denoncim tjetër, çon që të mendohet se 26 vjeçari mund të udhëtonte i vetëm.
Në pyetje janë marrë të njohur të 26 vjeçarit e kontaktet e këtij të fundit për të mësuar lëvizjet përpara se të zhdukej.



