Me çizme në Lezhë, degradon rruga në lagjen “SMT”, banorët: Nuk kalojmë dot

Mungesa e investimeve ndër vite ka bërë që rruga të degradohet, ndërsa qytetarët atje drejtojnë gishtin nga bashkia që i ka lënë në harresë.

Kjo është gjendja e rrugës në lagjen SMT të Lezhës, poshtë tregut të lirë të qytetit.

Në kohë me shi lëvizja e këmbësorëve është e pamundur, pershkak të gropave me ujë dhe baltës.

Kjo situatë në këtë zonë që ndodhet 2 km larg qendrës së qytetit vijon prej shumë vitesh, duke vështirësuar jetesën banorëve në këtë lagje. Ata thonë se shqetësimi i tyre për gjendjen e rrugës është ngritur disa herë tek pushteti vendor, por ka munguar ndërhyrja.

Banorët: “Kur është sezoni i rreshjeve, ka probleme. Ishallah po e shtrojnë me asfalt, se na kanë thënë që do ta rregullojnë.

Bashkia respektohet vetëm për të paguar taksat, për gjëra të tjera s’ka….

Vështirësi kemi ujin, kalojmë me çizme dhe presim të ulet niveli.

Kësaj rruge i mungon asfalti, i mungojnë kanalizimet,  mungojnë trotuarët për të kaluar”

Sipas të dhënave zyrtare të Bashkisë Lezhë, gjatë 3 viteve të fundit janë rehabilituar dhe asfaltuar rreth 70 km rrugë brenda këtij viti, është planifikuar të ndërhyhet edhe në këtë lagje, e cila ishte lënë në harresë prej 30 vitesh.