Presidenti nuk lëshon dekoratat, i kthen të parin ligj Ramës: Respektoni Kushtetutën!

E para jo. Bajram Begaj, që erdhi në zyrën e presidentit si gjeneral, nuk i lëshon dekoratat.

Ligjin e qeverisë që i merr kreut të shtetit kompetencën për të dekoruar e rrëzoi dhe e ktheu për rishqyrtim në parlament.

Vlerëson se e drejta ekskluzive i takon Presidentit të Republikës dhe për këtë i referohet Kushtetutës dhe Gjykatës Kushtetuese.

 "Kjo pavarësi nuk është thjesht një privilegj i tyre, por një prerogativë e vërtetë dhe e domosdoshme, e cila u jep më shumë siguri, qëndrueshmëri dhe efikasitet organeve dhe institucioneve kushtetuese në ushtrimin e detyrave të tyre".

Nisma e qeverisë për ti hequr presidentit dekoratat, pasoi një përplasje të hapur mes kryeministrit Rama dhe paraardhësit të Begajt në presidencë, të cilin maxhoranca e akuzonte se po jepte deklarata pa kriter. 

Bajram Begaj e përdor si argument përjashtimin e kreut të shtetit nga konsultimi për hartimin e draftit.

"Institucioni i Presidentit të Republikës, edhe pse është palë e interesuar në këtë proces, nuk është njoftuar zyrtarisht, nuk i është përcjellë për mendim projektligji përkatës dhe nuk është njoftuar për të qenë pjesë e procesit të diskutimeve në tërësinë e tij në shkelje të ligjit të sipërcituar dhe të procedurave parlamentare".

Kryeministri Edi Rama e  ka mbrojtur ligjin e dekoratave me argumentin se ai është 75 vite i vonuar, se Shqipëria është i vetmi vend që nderon të vdekurit, e se nisma do të bënte ndarjen përfundimtare nga e shkuara komuniste. 

Ligji i miratuar nga Kuvendi që i heq Presidentit dekorimin sanksionon se ai nuk do të japë më shumë se sa 23 dekorata në vit pa miratimin e Kancelarise se Urdhrave dhe Medaljeve.

Tashme maxhoranca ka në dorë dekretin presidecial, dhe mbetet për tu parë nëse ajo do të marrë parasysh argumentet e kreut të shtetit apo do të trajtoje atë si procedurë.

 

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.

Dokumenta bashkëngjitur