Klithmë fëmije! Leo 14-vjeçar vuan nga sëmundje kockash, operacioni e shpëton

Një 14-vjeçar në kryeqytet ka nevojë për ndihmën e të gjithëve për të kryer një operacion që do ta ndihmonte të ecë. Ora News sjell historinë bashkë me thirrjen për tu bërë pjesë e një nisme që mund të shpëtojë një fëmijë nga vuajtjet.

Nuk ecën dot. Sëmundja e kockave nga e cila vuan nuk e lejon.

Ky është Leart Hasanllari. Është vetëm 14 vjeç.

Është fëmijë, por kurrë nuk e ka jetuar fëmijërinë  si bashkëmoshatarët.

Sëmundja me të cilën ka bashkëjetuar, po i rëndohet.

"Më ka dalë shtiza, ka çarë kockën dhe kam pasur shumë dhimbje. Gati nuk fle të gjithë natën."

Një ndërhyrje kirurgjikale do ta ndihmonte.

"Dëshira ime më e madhe është të ngrihem në këmbë. Kërkoj nga të gjithë të më ndihmojnë me sa munden, kam bërë 14 operacione deri tani dhe mami dhe babi nuk kanë më mundësi."

Pamundësia për të përballuar operacionin e bën nënën të shpërthejë në lot.

"Ka bërë 14 operacione, do realizojë dhe dy të tjera.Doktorët na kanë dhënë shpresa se do të ecë. Është fëmijë, është 14 vjeç dhe nuk ka gëzuar një ditë të vetme, vetëm dhimbje i gjithë trupi.Janë mbledhur 25 mijë euro, mungojnë edhe 15 mijë euro. Ka duruar shumë, operacione nga 14 orë në sallë. Ka kaluar një javë në koma."

Learti jeton në rrugën "Myslym Keta" në Tiranë, duke pritur këdo që mundet ta ndihmojë.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.