“28 nëntori” i harruar në Vlorë, lagjja pa asnjë investim, banorët: Pushteti na ka harruar
Lagjet në Vlorë vijojnë të jenë në gjende të mjerueshme sa i përket investimeve. Banorët ankohen për mungesën e vëmendjes nga pushteti, ndërsa thonë se zyrtarët shkojnë tek ta vetëm kur ka zgjedhje. Lagja 28 nëntorit atje nuk ka as rrugë, dhe jetesa sipas banorëve është bërë e vështirë.
Kjo lagje në Vlorë mban emrin e madh të “28 nëntorit”.
Por realiteti në brendësi të saj nuk është sikur një zonë e thellë malore e harruar nga pushteti.
Rrugë të pashtruara që në dimër bëhen të pakalueshme, e në verë të mërzitshme nga pluhuri ua kanë vështirësuar jetën këtyre banorëve.
"Rrugë të pashtruara, në dimër mbytemi, në verë nga pluhuri. Nuk pyet njeri për neve.
Më keq është bërë. Rruga ka qenë asfalt kur kam ardhur unë, para 25 vitesh. Tani është bërë si mos më keq. Mezi kalojmë, me çizme kalojmë," thonë banorët.
Anash rrugëve mund të gjesh lehtësisht grumbuj mbeturinash në çdo kohë.
"Në mes të mbeturinave jetojmë. Dalim me fëmijët…" tha një banore.
Pushtetarët lokalë e qëndrorë banorët i shohin veç për zgjedhje, kur në rrugë të pashtruara shkojnë për të kërkuar vota.
"Asnjë gjë kjo rruga. Hajde voto, na gënjejnë dhe ikin.
Nuk ka patur asnjëherë këtu. Kështu është lënë, në këtë gjendje.
Na kanë premtuar në çdo fushatë që vijnë që do ta bëjnë rrugën," thanë ata.
Kur banorët kanë një hall, rruën e rregullojnë vetë.
"Vdiq një komshi dhe e hodhën vetë familjarët zhavorr se nuk kalojnë dot makinat këtu," tha ajo.
Banorët e shumë lagjeve në brendësi të Vlorës janë ankuar në vazhdimësi për mungesën e investimeve, dhe ata dhe shprehin shqetësimin se të gjitha investimet janë përqëndruar në qendër të qytetit.