Vdekja në burg e Enver Sheshit, Komiteti i Helsinkit: Nuk na dhanë informacion, na refuzuan vëzhgimin

Vëzhguesit e Komitetit Shqiptar të Helsinkit kërkuan informacion tek autoritetet përkatëse për rrethanat e vdekjes z. E. Shehi i paraburgosur në IEVP, nr. 313 për aferën e incineratorëve.

Sipas tyre edhe pse ata kanë kërkuar informacione në lidhje me shkakun e vdekjes të viktimës atyre nuk iu është mundësuar një gjë e tillë e madje iu është ndaluar dhe vëzhgimi.

"Vëzhguesit e KShH-së u paraqitën edhe pranë dy institucioneve të tjera si Drejtoria e QSUNT dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore. Pranë QSUNT, pas një kohe të gjatë pritje, u informuam se duhet të bënim një kërkesë për informacion.

Përfaqësuesit e IML na komunikuan që nuk kishin dalë ende rezultatet e autopsisë (të cilat vononin deri në 30 ditë) dhe duhej të dërgonim një kërkesë për informacion për çdo dokument që kërkonim prej tyre.

Nga sa përmendëm më lart, rezulton se vëzhguesve të KShH nuk iu mundësua informacioni nga organet përkatëse, gjë që do t’i shërbente sqarimit të çështjes. Ky qëndrim është i papajtueshëm me transparencën që shkon për krah me parimin e përgjegjshmërisë së institucioneve shtetërore.

Në çështjen në fjalë, rezervat për dhënie informacioni ndaj një organizate të njohur për misionin e saj, sikurse është KShH janë të panevojshme dhe krijojnë dyshime të arsyeshme në sytë e një vëzhguesi të paanshëm e objektiv, për arsyen e refuzimit të informacionit.

Gjithashtu, është e dëmshme në kuptim të aktualitetit dhe qëllimit që ka një monitorim, që të kërkohet parashtrimi i kërkesës zyrtare për informacion për të marrë kopje të këtyre dokumentave, nëse ato disponohen aty për aty nga organet," thuhet ne deklarate.