Tritol banesës së Shefit për Hetimin e Krimeve në Shkodër, Pëllumb Shpati. Dëshmitë
Një shpërthim me tritol ka ndodhur pranë banesës së shefit të krimeve në Policinë e Shkodrës. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së premtes, ndërsa shënjestër ka qenë shtëpia e Pëllumb Shpatit. Babai i Shpatit ka deklaruar se ngjarja dyshohet se ka ndodhur për shkak të detyrës së të birit.
Në ditën kur do të duhej të ishte krah kolegëve të tij për të festuar 110-vjetorin e policisë së shtetit, shefi i krimeve të komisarit të Shkodrës Pllumb Shpati dhe familja e tij u përballën me një shpërthim të fortë tritoli.
Lënda plasëse ju vendos në hyrje të banesës rreth orës 03:50 minuta, kur 17 pjestarët e kësaj familjeje ndodheshin në gjumë.
Fatmirësisht nuk pati të lënduar, por dëmet materialet që u shkaktuan ishin të shumta. Në vendngjarje mbërritën grupi hetimor dhe drejtues të prokurorisë që nisën punën për zbardhjen e ngjarjes.
Banesa nuk ka kamera sigurie, por në zonë janë disa të tilla dhe sipas grupit hetimor nga kçyrja paraprake e pamjeve, shihet një person duke lëvizur në këmbë që i afrohet banesës dhe pak minuta më vonë largohet, ku e pret një automjet që më pas humb gjurmët nga zona.
Në pamje ai nuk shfaqet i maskuar dhe kjo pritet të jetë një ndihmesë për policinë në identifikimin e tij. Efektivi Shpati dhe familjarët e tij e lidhin ngjarjen me detyrën që ai ushtron, ndërsa thonë se nuk kanë konflikte me njeri.
Tashmë grupi hetimor nën drejtimin e prokurorisë po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Shkodra kështu tronditet sërish nga të tilla shpërthime që si vitin e kaluar ashtu edhe këtë vit të ri, nuk po kursejnë uniformën e shtetit, duke u dhënë mesazhe të forta në drejtim të kësaj organizate.
Thuajse të gjitha ngjarjet kanë mbetur deri më tani pa autor, ndërsa kjo ngjarje e rëndë nuk zuri vend në deklaratën e drejtorit të policisë së Shkodrës në fjalën e tij në 110 vjetorit të Policisë së Shtetit, eveniment ky që u mbajt pak orë pas ngjarjes së rëndë.
Ora 11: 24 Shpërthimi tek banesa e shefit për hetimin e krimeve në Shkodër, kamerat e sigurisë filmuan autorin
Ora 08:56 Flet babai i Shefit për Hetimin e Krimeve: Dyshoj tek detyra e djalit
Babai i shefit për hetimin e krimeve në Shkodër Gjergj Shpati ka deklaruar se shpërthimi i ndodhur orët e para të mëngjesit të sotëm ka shkaktuar mjaft dëme në shtëpinë ku jetonin 3 familje. Babai deklaroi se s'kanë konflikte e borxhe dhe se dyshonte tek detyra e djalit
"Mbrëmë rreth orës 04:00 kam qenë në gjumë kam dëgjuar një shpërthim, dola të shikoja që ishte shkatërruar. Jemi 17 vetë në këtë shtëpi, tre familje në tre katet e shtëpisë.
I fuqishëm ishte se e tregon vetë tek dëmet. Ka shkatërruar mure, dyer e dritare, fasada, makina, avlli.
Ora 08:46 Shikoni dëmet nga shpërthimi me tritol në banesës e shefit të krimeve në Shkodër
Ora 08:41 Katër vite më parë u plagos vëllai i shefit për Hetimin e Krimeve në Shkodër, Pëllumb Shpati
Ora 08:14: Tritol banesës së Shefit për Hetimin e Krimeve në Shkodër, Pëllumb Shpati
Një shpërthim me lëndë plasëse ka ndodhur në Dobraç, Shkodër mëngjesin e sotëm.
Ngjarja ka ndodhur në shtëpinë e Shefit të Seksionit për Hetimin e Krimeve, Pëllumb Shpati.
Dëme ka pësuar banesa dhe automjeti i tij.
"Rreth orës 03:50, në lagjen Dobraç, ka shpërthyer një sasi lënde plasëse, përpara banesës së shtetasit P. Sh., me detyrë shef i Seksionit për Hetimin e Krimeve, në Komisariatin e Policisë Shkodër.
Si pasojë janë shkaktuar dëmtime të lehta në banesën e tij, si dhe është dëmtuar automjeti i tij.
Grupi i posaçëm hetimor i ngritur për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, nga veprimet e para hetimore, ka siguruar prova që do të çojnë në identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.
Nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, vijon puna për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje", njofton policia.
Shpërthimi ndodh pikërisht në ditën kur Policia e Shtetit feston 110 vjetorin e krijimit të saj, ndërsa në orën 10:00 është parashikuar të mbahet një ceremoni në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.


