“Dhëmb për dhëmb” me Agron Çelën, Meta: Askush nuk mund të na shpërqendrojë nga fitorja e padiskutueshme
Një ditë më parë në konferencën për shtyp kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta u përpoq të dukej i pa shqetësuar madje e quajti "lajm të vjetër" ndarjen e PL-së me deputetin e Shkodrës Agron Çela dhe deklaroi se lajmi u publikua tani me qëllim për të spostuar vëmendjen nga skandalet e qeverisë së tij.
Por pak minuta pasi vetë Çela bëri thirrje mbështetësve të tij që votat e tyre të drejtohet në krah të mazhorancës socialiste, duket se ka detyruar kreun e PL-së të reagojë sërish.
Përmes rrjeteve sociale Meta thekson se askush nuk mund ta shpërqendrojë opozitën nga fitorja e padiskutueshme që pritet në Tiranë, në Durrës, në Elbasan dhe në të gjithë Shqipërinë më 14 maj.
“Askush nuk mund të na shpërqendrojë nga fitorja e padiskutueshme që pritet në Tiranë, në Durrës, në Elbasan dhe në të gjithë Shqipërinë. Errësira dhe mungesa e transparencës ndaj qytetarëve nga bashkitë e kontrolluara nga "Rilindja", pas 14 Majit do të marrin fund njëherë e përgjithmonë”, shprehet kreu i Partisë i Lirisë, Ilir Meta.

