Firmat për shkarkimin e Alibeajt, Kapllanaj: Lojë e Rithemelimit. Salianji, vegla në duart e Sali Berishës

Edhe pse nuk është pjesë e grupit parlamentar të PD, Agron Kapllanaj, e ka një qëndrim për nismën e marrë nga deputeti Ervin Salianji për shkarkimin e Enkelejd Alibeajt si kryetar grupi.

Kapllanaj: Është lëvizje brenda grupit parlamentar. Unë nuk bëj pjesë por jam njohur me zhvillimet. Është një lojë e Rithemelimit për të trazuar ujërat, për të përfituar politikisht. Salianji është vegla në duart e Sali Berishës në këto momente dhe po bën lojën e tij.

Ndërsa mësohet se Salianjit i mungon vetëm një firmë, ai tha për Rtv Ora në një inervistë me gazetaren Beti Njuma se nuk e di sa firma ka mbledhur, pasi kjo është çështje e grupit parlamentar të PD.

Krisjen brenda PD-së ai e sheh pasojë të zvarritjes së vendimit në gjykata

Kapllanaj: Më duket anormale, ky vendim duhet të ishte marrë më herët. Kemi të bëjmë me një vendim që ka interes të madh publik, një vendim që i përket opozitës, që është alternativa e vendit. Këtu është interesi i qeverisë, zotit Rama ta zvarrisin sa më shumë që opozita të jetë sa më e dobët dhe e përçarë.

Lidhur me përjashtimin nga grupi të katër deputetëve nga grupi, ai thotë se vendimi është marrë nga strukturat drejtuese të PD dhe jo Alibeaj.

Kapllanaj: Alibeaj nuk ka përjashtuar asnjë deputet dhe nuk mund të përjashtojë asnjë deputet. Janë përjashtuar nga Kryesia e PD dhe Këshilli Kombëtar i PD një vit më parë. Pasi ka përfunduar afati i pezullimit dhe zotërinjtë nuk kanë reflektuar për sulmin që i kanë bërë selisë së PD dhe anëtarëve të Kryesisë në 8 janar, Alibeaj ka bërë procedurën duke dërguar në Kuvend vendimin që kanë marrë strukturat e PD.

Kapllanaj njësoj si Alibeaj thotë se ky i fundit është kryetar i PD.

Kapllanaj: Sigurisht që Alibeaj është kryetari legjitim, kryetari në detyrë pas dorëheqjes së Bashës. Kjo nuk është çështje shumice por e statutit të PD. Nuk e di për cilën parti ka garuar Berisha, se për PD nuk ka garuar. Të gjithë jemi dakord të jetë një PD e bashkuar, të dalim me kandidatë të përbashkët por nuk është faji i Alibeajt. Dihet kush është shkaktari kryesor që PD është i përçarë dhe nuk do bashkimin e PD, është zoti Berisha.Kam shpresë dhe besoj se ka kohë për të reflektuar.

Ndërsa vetë ka shpallur kandidaturën për bashkinë Mallakastër ai është i bindur se PD i ka kandidatët për 61 bashkitë e vendit.

Kapllanaj: PD i ka kandidatët për 61 bashki besoj dhe në ditët në vijim do të kemi emrat e tjerë të kandidatëve.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.