PD nuk gjen qetësi, Alibeaj “nxjerr” muskujt: Pas ikjes së Bashës, unë jam kryetari
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, njëherësh drejtuesi i njërit prej fraksioneve të PD, Enkelejd Alibeaj, nga Saranda ka përsëritur se drejtimin e partisë e ka ai. Alibeaj ka folur edhe për zgjedhjet lokale, teksa ka thënë se kandidatët e PD nuk mund të dalin nën logon e Partisë së Lirisë. Alibeaj sulmoi edhe Sali Berishën, ndërsa grupimin e rithemelimit e quajti si “struktura paralele”.
Dy ditë pasi përjashtoi nga grupi parlamenmtar 4 deputetë demokratë, Enkelejd Alibeaj duke e bërë të qartë se është ai drejtuesi i partisë, tha se asnjë kandidat nga selia blu nuk mund të garojë në zgjedhjet lokale nën siglën e Partisë së Lirisë.
Alibeaj: Nuk mund të ketë një kandidat të PD që garon me siglën e Partisë së Lirisë, kjo është jashtë çdo kuptimi.
Pavarësisht se nuk ka zyrtarizuar asnjë kandidat, Alibeaj i dha fund dilemave për zgjedhjet e 14 majit, ku pjesa e PD që ai përfaqëson do të garojë në të gjitha zonat.
Alibeaj: Është vendosur prej gjithë përfaqësuesve të çdo dege në gjithë Shqipërinë që PD do të futet në zgjedhje.
Duke e quajtur Sali Berishën pjesë të së shkruarës dhe Grupin e Rithemelimit si krijues të struklturave paralele, Alibeaj e bëri gjysmën tjetër të PD-së fajtore që partia nuk është bashkuar.
Nga Saranda ku takoi mbështetësit e tij, Enkelejd Alibeaj iu përgjigj akuzave se ai po i shërben Edi Ramës.
Alibeaj: Gjej rastin të ndodhem mes demokratëve të Sarandës jo vetëm për të festuar por edhe për të diskutuar gjendjen dhe situatën politike së pari në Sarandë, sfidat që na presin, por edhe për zhvillimet lart në qendër. Unë jam drejtues i PD pas shkëputjes së Lulzim Bashës.
Unë jam përfaqësues i gjithë atyre demokratëve që kanë vendosur të shkëputen nga periudha tridhjetë e ca vjeçare e politikës shqiptare. Unë e kuptoj fare mirë hallin e atyre që herë pas here bëjnë këto lëvizje agresioni. Eshtë hall i Sali Berishës dhe Edi Ramës. Jam mësuar tashmë me këto etiketime duke më venë në krah të Edi Ramës. Media e ka bërë publike se kush ka qenë bashkë me Edi Ramën. Ata që janë bashkë kanë arsye hallet e tyre personale.
Unë nuk kam asnjë hall, jam fare mirë e ndjehem lirshëm në këtë pozicion politik e angazhim që kam treguar gjatë gjithë kësaj kohe të jetës time politike aktive. Ata që janë bashkë kanë një arsye pse janë bashkë, kane halle, halle personale, hallet personale të tyre tregojnë që ata janë bashkë. E kanë treguar shume episode gjatë kësaj periudhe se kush është bashkë.
Duke drejtuar gishtin nga Sali Berisha dhe duke i përmendur atij një inçizim të 1991 tha se Berisha dhe Rama i shërbejnë njëri-tjetrit prej 3 dekadash.

