E pafajshme dhe në Apel, lihet në fuqi vendimi i shkallës së parë për Etleda Çiften
Anëtaria e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Etleva Çiftja, është shpallur e pafajshme edhe nga Gjykata e Apelit të Posaçëm. Të njëjtin vendim ndaj saj kishte dhënë edhe Gjykata e Shkallës së Parë, por SPAK kishte kundërshtuar me pretendimin se zyrtarja e lartë e vetingut nuk kishte deklaruar pasurinë dhe kishte kryer falsifikim dokumentesh.
Apeli i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë të shpallur më 16 shtator për pafajësinë e anëtares së KPK, Etleda Çiftja.
Sipas gjykatës, tashmë me vendim të formës së prerë zyrtarja e lartë e vetingut u shpall e pafajshme për akuzat deklarim i rremë të pasurisë dhe falsifikim dokumentesh.
Me 5 tetor Prokuroria e Posaçme, SPAK, ka ankimuar vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë të 16 shtatorit 2022 që shpalli të pafajshme anëtaren e KPK.
Përballë togave të zeza, prokuroria kërkoi shpalljen fajtore të Çiftes për dy akuzat, deklarim i rremë të pasurisë dhe falsifikim të dokumentave në formën e përdorimit, si dhe dënimin e saj me 1 vit burg të konvertuar ne 2 vjet shërbim prove.
Por ndryshe nga ky pretendim, gjykata nuk e gjeti të fajshme Çiften me argumentin se fakti penal nuk ekziston dhe u shpreh se duhet të ishte prokuroria që duhet të kerkonte pushimin e çështjes që në seancë paraprake.
Etleda Çiftja u zgjodh në qershor 2017 nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë në postin e Komisioneres pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe përgjatë 5 viteve ka marrë pjesë në vendimet e shkarkimit të qindra prokurorëve e gjyqtarëve për çështje të fshehjes dhe mosdeklarimit të pasurisë.
Denoncimi ndaj zyrtares së lartë të vetingut u bë pikërisht nga avokatët që përfaqësojnë gjyqtarët dhe prokurorët e shkarkuar nga vetingu.
