Vetingu përfundon në 2024, Ulsi Manja: Pas dy vitesh “pastrohet drejtësia”

Viti 2024 do të shënojë përmbylljen e vetingut në organet e drejtësisë në Shqipëri. Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, tha gjatë analizës për punën e vitit të kaluar se shtyrja e mandatit të KPK dhe KPA-së ishte arritje falë edhe votave të opozitës. Po kështu Ministri tha se brenda muajit korrik finalizohet harta e re gjyqësore me shkrirjen e gjykatave të Apelit.

Vetingu në drejtësinë shqiptare do të përfundojë në vitin 2024.

"Procesi i vetingut do të mbyllet në vitin 2024."

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, renditi si sukses për vitin 2022 shtyrjen e mandatit të organeve të vetingut për çka vlerësoi edhe votën e opozitës.

"Gjej rastin të falenderoj edhe opozitën për votën që dha në parlament pasi shtyrja e mandatit të vetingut nuk do të ishte bërë e mundur pa votat e opozitës, pasi kërkonte një shumicë të cilësuar."

Për vitin 2023, Manja theksoi se prioritet është zbatimi i hartës së re gjyqësore, e cila pritet të finalizohet deri në muajin korrik.

"Për 2023, referuar Vendimit të Këshillit të Ministrave me të cilin u miratua harta e re gjyqësore në 2023 objektivi im kryesor mbetet zbatimi i hartës së re gjyqësore. Harta e re gjyqësore do të zbatohet në bashkëpunim të ngushtë me Këshillin e Lartë Gjyqësor. Fillon me 1 shkurt me riorganizimin e Gjykatave të Apelit, për të vazhduar pastaj me riorganizimin e gjykatave të shkallës së parë, për tu përmbyllur në korrik 2023 me riorganizimin e gjykatave administrative të shkallës së parë."

Ministri i Drejtësisë tha se tashmë gjyqësori dhe prokuroria kanë qeverinë e tyre që janë këshillat e lartë gjyqësorë dhe i prokurorisë, por vuri në dukje se sfidë për këtë vit mbetet plotësimi i vendeve vakante të krijuara nga shkarkimet.

"Paralelisht me mbylljen e procesit të vetingut, sfidë e jona për 2023 e në vazhdim mbetet plotësimi i vakancave në gjyqësor për shkak të largimeve të prokurorëve dhe gjyqtarëve nga vetingu. Në funksion të kësaj është dhe rritja e kandidatëve për në Shkollën e Magjistraturës."