Begaj takon kreun e ri të OSBE-së në Tiranë: Partitë të respektojnë ligjin dhe të kenë vullnet për konkurencë të ndershme

Presidenti i Republikës Bajram Begaj priti këtë të martë në një takim kreun e ri të prezencës së OSBE-së në Tiranë, Guido De Sanctis.

Në një njoftim të shkurtër përmes rrjeteve sociale lidhur me këtë takim, Begaj thotë se gjatë bisedës ka vlerësuar rolin e deritanishëm të kësaj organizate dhe transformimin e fokusit të bashkëpunimit hap pas hapi.

“Prezenca e OSBE-së në Shqipëri është një partner i rëndësishëm dhe bashkëpunues në përballimin e sfidave që lidhen me konsolidimin e shtetit ligjor, organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, lirinë dhe profesionalizmin e medias, antikorrupsionin dhe shumë fusha të tjera.

Në takimin e sotëm me Kreun e ri të Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Ambasadorin Guido De Sanctis, vlerësova rolin e deritanishëm të kësaj organizate si dhe transformimin e fokusit të bashkëpunimit hap pas hapi.

Theksova se është shumë e rëndësishme që partitë politike dhe subjektet e tjera konkuruese të demonstrojnë vullnet të qartë për të respektuar ligjin dhe një konkurrencë të ndershme dhe se dialogu politik është i domosdoshëm për të çuar vendin përpara”, shkruan Begaj.