Rruga "Xhon Belushi", Vokshi rendit akuzat ndaj Veliaj: SPAK t'a hetojë urgjentisht
Partia Demokratike depozitoi sot në SPAK kallëzimin penal për kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj, për tenderin fiktiv prej 471 milionë lekësh në rrugën "Xhon Belushi" në zonën e Freskut.
Deputetja Albana Vokshi akuzoi Erion Veliajn se ka kryer shkelje të rënda ligjore, pasi kjo rrugë po shtrohej ende pa u shpallur fituesi i tenderit dhe punimet po bëheshin me makineritë e bashkisë.
Abuzimi flagrant, u denoncua nga kandidati i opozitës për kryetar bashkie Belind Këlliçi, i cili theksoi se paratë do të përdoreshin për blerje votash.
"Ka qenë kandidati i opozitës Belind Këlliçi që ka kapur në flagrancë Erion Veliaj që ka nisur punimet në rrugën "Xhon Belushi", e ka kapur në tentativë për vjedhjen e 471 mln lekëve të cilat do ti kalonin fiktivisht një kompanie, e cila më tej do ti përdorte për fushatë elektorale për blerje votash.
Mashtroi dhe falsifikoi dokumentat e këtij tenderi. Për këtë arsye jemi këtu, duke i kërkuar SPAK që të regjistrojnë këtë kallëzim penal dhe të nisë menjëherë hetimet për kryetarin e bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për shpërdorim detyre, shkelje e barazisë në tendera, korrupsion aktiv në zgjedhje, përdorim i funksionit publik në veprimtari politike dhe zgjedhore, falsifikim i dokumentave dhe mashtrim.
I kërkojmë SPAK urgjentisht të nisë hetimet duke kërkuar dhe sekuestron e gjithë dokumentacionit të këtij tenderi dhe të fillojë menjëherë një hetim të thelluar dhe profesional".
