Lojë përjashtimesh në PD, Alibeaj i paraprin shkarkimit me firma nga drejtimi i grupit në Kuvend

Tashmë të ndarë qartazi, grupimet në Partinë Demokratike kanë nisur një lojë numrash. Mbështetësit e Sali Berishës po mbledhin firma për shkarkimin e Enkelejd Alibeajt, por ky i fundit, i parapriu duke përjashtuar 4 deputetë. Lufta që vijonte e heshtur prej nisjes së vitit, këtë të mërkurë nisi hapur

Vendimi i Enkelejd Alibeajt për përjashtimin e 4 deputetëve është cilësuar si një akt vetëmbrojtjeje nga vetë deputetët e opozitës. Deputeti Edi Paloka u shpreh se inicimi i firmave për përjashtimin e Alibeajt nga grupi, sollën vendimin e tij për përjashtimin e 4 deputetëve. Ndërkohë u cilësua si një maskaradë edhe nga deputeti Ferdinand Xhaferaj i cili deri vonë ishte mbështetës i grupit Alibeaj

Loja në heshje mbaroi dhe lufta në grupin parlamentar të Partisë Demokratike nisi.

Në nisje të vitit deputetët janë thirrur të firmosin shkarkimin e Enkelejd Alibeajt nga drejtimi i grupit në Kuvend.

Por i ngarkuari në detyrë për postin e lënë vakant nga Lulzim Basha u tregua më i shpejtë me vendime dhe përjashtoi 4 deputetë që me letra i mbante pezull prej një viti.

Kuvendi u njoftua për vendimin pasditen e së martës.

Ai akt lidhet pikërisht me  firmat që kanë mbledhur shumica e deputetëve për të shkarkuar Enkeled Alibeajn. Bëhet fjalë për grupin që drejtonte Alibeaj. Ky akt që është mëse i turpshëm tregon se është në bashkëpunim të plotë me Ramën. Asnjë vendim i tillë nuk mund të merrej nga parlamenti nëse nuk do të ishte Rama në lojë. Parlamenti ka një rregullore dhe një ligj: Nuk mundet që askush të përjashtojë deputetët nga grupet parlamentare," tha Paloka.

Ferdinand Xhaferraj, konfirmoi se është një prej atyre që kërkojnë ringtjen e Partisë Demokratike, por u shpreh se nuk ka firmosur për përjashtimin Tritan Shehu, Belind Këlliçi, Oerd Bylykbashi dhe Agron Shehaj nga Grupi.

 "4 deputetët janë të respektuar. Jam informuar në media dhe tregon për maskaradën e dimensionit demokratik që ka kjo vendimmarrje. Kjo flet shumë dhe për kolegët dhe për qytetarët shqiptare. Asnjëherë nuk kam votuar apo firmosur për përjashtim kolegësh," tha ai.

Megjithatë është ende e paqartë nëse Xhaferraj i referohet dokumeteve të firmosura në 2023 , apo të një viti më parë, kur grupimi i Alibeajt thotë se 4 deputetë iu kërkua të distancohen nga aktet e dhunës ndaj Partisë Demokratike më 8 Janar.

Prej më shumë se një viti deputetet e partisë Demokratike janë ndarë në kampe, ku mbështetësit e Sali berishës akuzojnë Alibeajn se po përdor detyrën e kryetarit se bashkëpunon me Ramën për tu hequr të drejtën e fjalës në Kuvend.

Përjashtimet dhe thellimi i krizës në Selinë Blu vjen vetëm 4 muaj para zgjedhjeve vendore dhe në një kohë kur KQZ ende nuk ka vendosur se cili nga dy grupimet do të ketë të drejtën të regjistrojë kandidatë me vulën e PD.