PD thirrje shqiptarëve për protesta: Rozeta hoqi kapakun e pusetës së llumit qeveritar

Partia Demokratike ka reaguar për herë të pare në deklaratë për mediat lidhur me skandalin e parave që iu grabitën në banesë ish-shefes së kabinetit të Arben Ahmetajt, Alda Klosit. Lidhur me ngjarjen, zëdhënësja e PD-së Floriana Garo u shpreh se kjo ngjarje është vetëm një shembull i keqqeverisjes së Edi Ramës.

Floriana Garo:  “Ai është episodi i një seriali të pafund vjedhjesh të përditshme nga Edi Rama dhe qeveria e tij, i denoncuar vazhdimisht nga Partia Demokratike. Nga rruga “John Belushi” tek “Rruga e Kosovarëve”, në çdo cep të Shqipërisë, në çdo tender, projekt, VKM, aeroport dhe port, në çdo darkë te Nusreti apo shtëpi zyrtarësh, fshihet një akt korrupsioni dhe skemë vjedhjeje shihen pakot, baulet e eurove te vjedhura qytetarëve të këtij vendi.

Gjithashtu sipas Garos, edhe pretendimet e Alda Klosit që paratë e vjedhura ishin të xhaxhait të saj të sëmurë nuk qëndrojnë.

Floriana Garo:“Milionat që Rozeta Dobi mori nga kasaforta apo dysheku i Alda Klosit, nuk janë të xhaxhait me tumor, siç pretendon drejtoresha e Ramës dhe Ahmetajt, por janë metastazat e tumorit kurruptiv ku e ka futur qeverinë dhe administratën Edi Rama. Përballë kësaj neverie ikin shqiptarët, duke rrezikuar jetën.

PD gjithashtu iu bëri thirrje shqiptarëve që të ngrihen dhe të rrëzojnë qeverinë aktuale, e cila po rrezikon jetët e miliona qytetarëve.

"Përballë kësaj drame kombëtare, Partia Demokratike u bën thirrje shqiptarëve te ngrihemi e te largojme Edi Ramen! Të ngrihemi dhe t’i dalim zot Shqipërisë!"