Me rroba ushtarake, antiplumb dhe i armatosur deri në "dhëmbë", pranga 36-vjeçarit në Lezhë

Një ngjarje e mundshme kriminale është parandaluar pasditen e sotme në Lezhë, ku policia pas disa informacioneve të mbledhura në rrugë operative, ka bërë arrestimin e shtetasit Antonio Leka, 36 vjeç.
Bëhet me dije se 36-vjeçari ishte i veshur me rroba ushtarake, me antiplumb dhe në çante i janë gjetur arme të mbushura dhe municione të tjera luftarake si blindshpusa dhe fishekë.
Gjatë një kontrolli të kryer në automjetin e tij janë gjetur gjithashtu armë të mbushura me fishekë.
"Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore dhe nga familjarët e një 36-vjeçari që po qarkullonte në qytetin e Lezhës, me një automjet në të cilin mbante armë zjarri të llojeve të ndryshme, me të cilat kishte paralajmëruar se do kryente një krim të rëndë, kanë organizuar operacionin policor të koduar “Lavazhi" duke angazhuar shërbime të shumta policie.
Në kuadër të këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit A. L. 36 vjeç, për veprat penale "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit", "Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike", "Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta" dhe “Përgatitja e kushteve për vrasje” njoftoi policia.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri pistoletë me 5 karikatorë, 1 automatik me 5 karikatorë, 550 fishekë luftarakë për pistoletën dhe automatikun, 1 palë dylbi, 1 antiplumb ushtarak, 1 thikë, 1 çantë ushtarake, 75 gramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis dhe rroba kamuflazhi.
Për shkak të sekretit hetimor, duke qenë se ngjarja është në hetim, nuk jepen detaje të tjera në lidhje me motivet dhe objektivin e synuar nga i arrestuari.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme procedurale.
