Kapet “Rambo”, policia i gjen në makinë arsenal armësh: Do vras politikanët e Lezhës, janë farë e keqe
Antonio Leka, një person nga qyteti i Lezhës, i dënuar me parë nga gjykata, për “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, është arrestuar nga policia e Lezhës, pasi në makinën e tij, u gjetën dhe sekuestruan një arsenal i tërë me armë luftarake.
Snajper, automatikë, plumba blindshpues, pistoleta dhe jelekë antiplumb, janë gjetur në makinën e Antonio Lekës, i cili siç mëson “Ora News” udhëtonte nga zona e Milotit në drejtim të Lezhës.
“Ora News” ka mundur të sigurojë dhe foton ekskluzive të armatimit që policia mundi ti kapë, Antonio Lekës.
Ka qenë vëllai i Antonios, Nik Leka që ka njoftuar policinë e Lezhës, për prezencën e tij të armatosur, i cili kishte parë të vëllain të veshur ushtarak dhe me një jelek anti-plumb.
Policia lokale e vlerësoi me shpejtësi këtë informacion, duke rrethuar Antonio Lekën dhe ndaluar në aksin rrugor Milot-Lezhë.
Ai ishte i veshur i gjithë me uniformë ushtarake dhe anti-plumb, duke krijuar përshtypjen e personazhit artistik “Rambo”.
Gjatë momentit të arrestimit Antonio Leka, nuk ka shfaqur rezistencë ndaj punonjësve të policisë, por u ka thënë këtyre të fundit se ishte nisur në drejtim të Lezhës, për të vrarë politikanët.
“…do vras politikanët e Lezhës, dhe të zhduk farën e keqe të tyre…” - ka pohuar Leka.
Aktualisht ndaj tij është marrë masa e arrestimit ndërsa në ditët në vijim pritet që të dalë para gjykatës së Lezhës, për tu njohur me masën e sigurisë “arrest në burg” që do kërkojë prokuroria.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.
