Stafi i KLSH, fiktiv dhe i papërgjegjshëm/ Nga mbi 200 punonjës, në punë vetëm 1/4 e tyre

Të punësuarit fiktiv dhe abuzimet me orarin, janë një nga problemet që mbizotërojnë në administratën e vendit.

Por ky abuzim ndodh edhe në atë institucion që ka për detyrë të bëjë kontrollorin, siç është Kontrolli i Lartë i Shtetit i drejtuar nga Arben Shehu.

Ora News prej ditësh ka vezhguar orarin e punonjësve të këtij institucioni.

Në ditën e parë, në punë janë paraqitur 30 persona, 27 prej të cilëve kanë ardhur me vonesë dhe janë larguar para përfundimit të orarit zyrtar.

Në ditën e dytë numri i punonjësve u rrit, kjo ndoshta e dhe për praninë e kamerës. 11 persona më shumë hynë në këtë institucion, ndërsa jashtë orarit ishin 22 persona.

Në ditën e tretë numri i punonjësve sërish u ndërgjegjësua, 52 persona shkuan në punë brenda orarin zyrtar ndërsa 15 ishin me vonesë.

Sipas burimeve të Ora News, KLSH përbëhet nga 201 punonjës, të cilët kryejnë funksione të ndryshme audituese, këshilluese dhe administrative.

Nga vëzhgimi në terren duket se pjesa dërrmuese e këtyre punonjësve janë fiktivë, pasi rezultojnë në letra, por jo në institucion.

Pyetja që lind është si e justifikon Arben Shehu pagesën për këta persona?

Tashme dihet se në këtë institucion ka shumë persona që paguhen teksa kryejnë dhe punë të tjera, duke filluar nga të afërm të njerëzve me pushtet, e deri tek gazetarë.

Ndodhur në këtë situatë, konkluzioni është se duhet një KLSH për të nxjerrë në pah abuzimet në KLSH-në.

Prania e kameras e Ora News duket se e ka bezdisur kryetarin Arben Shehu që i vërsuli grupit të xhirimit policinë, madje dhe punonjësit e tij duke i fyer gazetarët.

Ora News do të vijojë në ditët në vijim të bëjë publike shantazhin e punonjësve të këtij institucioni, por dhe abuzimet që duket se nuk kanë fund.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.