PD, e Berishës apo Alibeajt? KQZ cakton 29 janarin për listën me emrat për në KZAZ
Brenda datës 29 janar, KQZ-ja do të vendosë se cili nga grupimet në PD do të ligjërohet për të propozuar kandidatët. Procedura nis me propozimin e emrave të komisionerëve në KZAZ ku veç dy partive kryesore nga një anëtar, kanë dhe PSD e Partia e Lirisë.
Numërimi mbrapsht i ditëve për zhvillimin e zgjedhjeve vendore të 14 majit, po shton edhe më shumë dilemën se kush do të ketë të drejtën e propozimit të kandidatëve prej Partisë Demokratike. Hapin e parë e ka hedhur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, duke vendosur si afat datën 29 janar, kohë ku partitë do të propozojnë emrat për anëtarë të KZAZ, e në këtë rast do të ndahet, dhe nëse do të jetë Berisha apo Alibeaj, që do të njihen nga institucioni i çertifikimit të votimeve.
Çdo KZAZ do të ketë 7 anëtar, ku 3 i ka mazhoranca e po aq opozita.
Celibashi: “Dy anëtarë në çdo KZAZ propozohen nga Partia Socialiste e Shqipërisë, një anëtar në KZAZ propozohet nga Partia Socialdemokrate, dy anëtar në KZAZ nga Partia Demokratike, një anëtar në çdo KZAZ nga Partia e Lirisë”.
Për të zgjidhur ngërçin e shumicës vendimmarrëse, anëtari i shtat do të ndahet në gjysmën e komisioneve për mazhorancën e po aq opozita e për këtë do të shërbejë shorti.
Celibashi: “Anëtari i shtatë i KZAZ do të zgjidhet përmes shortit”.
Mbledhja e KQZ këtë të hënë u ndoq prej vetëm përfaqësuesit ligjor të PD, së drejtuar nga Enkelejd Alibeaj, por nuk ka preferuar të shprehet mbi diskutimet.


