Lëshohen në hapësirë satelitët Albania 1 dhe 2, Rama: Ja dhe kjo, u tha, u bë!
Kryeministri i vendit, Edi Rama ka bërë me dije se janë lëshuar në hapësirë dy satelitët shqiptarë, Albania 1 dhe 2.
Ai ka postuar një video gjatë lëshimit të tyre në Florida, ku është lëshuar raketa Falcon 9, misioni i përbashkët i SpaceX Transporter 6.
Rama: Ja dhe kjo, u tha, u bë. Sapo është lëshuar nga Cape Canaveral, Florida raketa Falcon 9, misioni i përbashkët i SpaceX Transporter 6 që transporton për në hapësirë edhe satelitët tanë, Albania 1 dhe Albania 2.
Satelitët u lëshuan të martën e 3 janarit 2023 rreth orës 01:20 me orën lokale (ora 18:00 me orën tonë)
Që në tetor 2021 Rama bëri paralajmërimin për lëshimin e dy satelitëve ndërsa më 29 shtator 2022 u firmos marrëveshja ndërmjet Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Operatorit “Satellogic USA Inc” satelitët do të shërbejnë për monitorimin e territorit të Shqipërisë.
Kontrata për dy satelitët kushton 6 milionë dollarë ndërsa koha e parashikuar për qëndrimin e tyre në orbitë është 3 vjeçare.
Çfare parashikon marrëveshja
Ata do u shërbejnë institucioneve marrjen e imazheve satelitore me rezolucion shumë të lartë.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile do të marrë informacion mbi rrëshqitjet e tokës, lëvizjen e strukturave të rëndësisë së veçantë si: diga, ura, nivelin e ujit në liqene, basene, lumenj, numrin e godinave të shembura, sipërfaqen e zonave të përmbytura, sipërfaqen e zonave të djegura, densitetin e popullsisë, rrugët e bllokuara, sipërfaqet e mbuluara nga bora, trashësia e borës.
Do të marrë informacion mbi peshkimin detar, kontrollin e ujërave ku në raste që konstatohen shkelje të kërkesave ligjore do të marrë masa administrative nga sektori i inspektimit dhe kontrolli i peshkimit
Do të monitorohet rrjeti i kanaleve ujitëse, kulluese, kanalet e ujërave specifikisht në situata me reshje intensive, në mënyrë që të analizohet sipërfaqja e prekur në tokat bujqësore apo në zonat e banuara”
Në fushën e turizmit do të shërbejë edhe duke dhënë informacion për cilësinë e ujërave bregdetare me synim promovimin e zonës bregdetare, si dhe erozionin bregdetar në funksion të mbrojtjes së zonës bregdetare dhe inventarizimin e saj.
Policia e Shtetit do të ketë të mundur marrjen e informacionit për kultivimin e bimëve narkotike, shfrytëzimin apo prerjen e paligjshme të pyjeve, gjuetinë e paligjshme, shkatërrimin e shtratit të lumenjëve, shfrytëzimet e paligjshme të burimeve natyrore në zonat e mbrojtura, kalimin e paligjshëm në pikat kufitare, informacione të cilat do të mundësojnë evidentimin në kohë të akteve kriminale
