Zjarri në shkollën e Mallakastrës, Kushi kërkon zbardhjen e shkaqeve: Do jetë gati me 5 janar

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, ka reaguar për zjarrin në shkollën 9-vjeçare "5 Shkurti" në Mallakastër, ku si pasojë e flakëve në njërën prej klasave janë shkaktuar dëme fizike dhe materiale.

Kushi thotë se po ndjek me vëmendje zhvillimet në lidhje me ngjarjen.

Sipas informacioneve zyrtare paraprake, shkak i zjarrit ka qenë një shkëndijë elektrike, por megjithatë Ministrja kërkon nga organet kompetente, jo vetëm Policia e Mallakastrës por edhe Bashkia, si institucioni përgjegjës për sigurinë e shkollës, që të bëjnë sa më parë një hetim të plotë të shkaqeve që çuan në këtë incident.

Ajo falenderon veçanërisht punonjësit e zjarrfikëses dhe personelin e shkollës, të cilët kanë ndërhyrë në kohë rekord, duke parandaluar përhapjen e zjarrit në klasat e tjera.

Ministrja shton se po marrin të gjitha masat, në bashkëpunim me Bashkinë dhe Zyrën Arsimore Mallakastër, që shkolla të jetë gati për të pritur nxënësit ditën e enjte, më datë 5 janar, kur rinis procesi mësimor në të gjitha shkollat e vendit.