“Kobra e vrau për 400 euro", vrasja e të riut nga Kukësi në Prizren, për faturën e lokalit
Një 31 vjeçar nga Kukësi mbeti i vrarë pas konfliktit në lokalin Cobra City në Prizren ku kishte shkuar të festonte për vitin e ri. Policia e Kosovës ka ndaluar si autor të dyshuar pronarin e lokalot Dibran Hoxhaj, person me precedent të theksuar kriminalë. Nga të shtënat mbeti i plagosur edhe një 27-vjeçar shok i viktimës ndërsa në vendngjarje janë gjetur tri gëzhoja. Shkak i krimit dyshohet se ka qenë konflikti për faturën 400 euro të cilën klientët e lokalit e kanë cilësuar të padrejtë.
Tre të rinj nga Kukësi shkuan për të festuar vitin e ri në lokalin “Cobra City” në Prizren por njëri prej tyre mbeti i vrarë, dhe një tjetër u plagos në orët e para të mëngjesit të datës 3 janar.
Shkak për krimin dyshohet se është bërë konflikti për faturën 400 euro mes tre vizitorëve dhe pronarit të lokalit, Dibran Hoxhaj, i njohur edhe me pseudonimin “Cobra”.
Visart Cengu, 31 vjeç, nga Kukësi humbi jetën ndërsa shoku Ii tij Rufgen Shehu ka mbetur i plagosur. Bashkë me ta ka qenë edhe shtetasi Arben Basha që ka shpëtuar pa plagë. Dy të mbijetuarit e ngjarjes kanë dëshmuar për policinë e Kukësit, se kishin qenë në lokalin “Cobra City” në Prizren ku kanë pasur një konflikt me pronarin.
Pas debatit me fjalë dhe përplasjes fizike brenda lokalit të natës, palët kanë dalë jashtë dhe teksa tre të rinjtë po hipnin në automjet për tu larguar, dyshohet se pronari Dibran Hoxhaj ka qëlluar drejt tyre duke lënë një të vrarë e një të plagosur.
Sipas mediave në Kosovë, dëshmitarët e intervistuar kanë deklaruar se motiv i mundshëm i vrasjes dhe plagosjes është një faturë 400 euro.
Punonjësit e lokalit kishin pretenduar se tre të rinjtë nga Kukësi duhet të paguanin këtë shumë për qëndrimin aty dhe pijet e konsumuara por klientët kanë kundërshtuar. Mes tre të rinjve dhe stafit të lokalit ka pasur debat verbal e më pas fizik ndërsa më vonë ka ndërhyrë pronari i lokalit Dibran Hoxhaj.
Ai është ndaluar nga policia e Prizrenit pak orë pas vrasjes ndërsa prokurorja e çështjes Nazan Shero, ka thënë se pronari i lokalit “Cobra City” nuk ka dhënë asnjë deklaratë. Sipas saj, prokuroria Themelore e Prizrenit, po verifikon edhe vërtetësinë e deklaratave se motiv i ngjarjes ka qenë konflikti për 400 euro. Nga ana tjetër policia e Kosovës ka kontrolluar lokalin Cobra City ku hetuesit kanë gjetur tri gëzhoja arme zjarri.
Policia shqiptare tha se automjeti ku ndodhej viktima dhe i plagosuri ka kaluar kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë në orën 4:25 të mëngjesit me destinacion spitalin e Kukësit ku është kërkuar ndihmë mjekësore për të dëmtuarit. Më pas është vënë në dijeni për ngjarjen edhe policia e cila ka nisur hetimet dhe ka marrë në pyetje të mbijetuarit.
Vetëm pak orë para ngjarjes, Dibran Hoxhaj kishte publikuar në rrjetet sociale pamje nga lokali në pronësi të tij ku edhe ndodhi vrasja. Hoxhaj njihet në Kosovë si kontigjent kriminal i proceduar qindra herë për shkelje të ligjit.
