Astrit Sinanaj pretendon se i ka mbaruar afati i qëndrimit në burg, Apeli i refuzon lirimin nga qelia
Astrit Sinanaj, njeriu që akuzohet për tentativën e vrasjes me 1 kg tritol të biznesmenit Fuad Verzivolli në Elbasan, nuk ka mundur të përfitojë lirinë.
Sinanaj, përmes avokatëve të tij ka pretenduar se i kanë përfunduar afatet e paraburgimit, dhe për pasojë ka kërkuar shuarjen e masës së sigurisë nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie”.
Kërkesa e tij është shqyrtuar ditën e djeshme në gjykatën e Apelit në Durrës, ku pas 4 orë diskutim ligjor dhe llogaritjeve të ditëve të qëndrimit në paraburgim të Sinanaj, trupi gjykues vendosi të rrëzojë kërkesën e tij për lirimin nga qelia.
Në muajin Janar 2021, çështja ndaj Astrit Sinanaj, u kthye për rigjykim pasi, duke përdorur nenin 428/ç të Kodit të Procedurës Penale, pasi gjykata e Apelit në këtë kohë, ka konstatuar mangësi proçeduriale në mungesën e arsyetimit të vendimit.
Për pasojë dosja u rikthye sërisht për rigjykim nga fillimi, ndërsa tashmë i pandehuri Astrit Sinanaj, kishte kërkuar lirimin nga qelia me pretendimin e mbarimit të afateve.
Astrit Sinanaj, u dënua në muajin korrik 2020, nga gjykata e Elbasanit, e cila pranoi pjesërisht kërkesën e prokurorit Xhelian Seferaj, duke deklaruar fajtor dhe dënuar me 25 vite burgim Astrit Sinanaj.
Ky i fundit akuzohet për 4 vepra penale të “Vrasje me dashje e kryer në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave”, “Mbajtjes pa lejë të armëve shpërthyese”, “Shkatërrimit të pronës me eksploziv” dhe “Largimit i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.
Për Sinanaj, prokuroria kishte kërkuar dënimin me 30 vite burgim.
Ndërsa personi tjetër i pandehur në këtë çështje për akuzën e “Moskallëzimit të krimit”, Thanas Thoma, një ish-punonjës kazinoje në Elbasan, është dënuar me 10 muaj burgim.
Për Thomën, prokuroria kishte kërkuar në pretencën e saj, dënimin me 1.6 vite burgim.
Sipas dosjes së prokurorisë Sinanaj kishte tentuar të vriste me tritol biznesmenin Fuad Verzivollin.
Verzivolli, objektivi i këtij atentati gjatë dëshmisë në gjykatë deklaroi se sulmi me tritol ndaj tij ishte financuar nga Florenc Çapja, pasi ai nuk ka asnjë njohje me Astrit Sinanaj, informon Ora News.
Më 6 maj 2017 në Elbasan, iu vendos 1 kg tritol C4 poshtë makinës së biznesmenit, Fuad Verzivolli.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.
