Shërbimi kadastral vetëm online, qeveria vendos: Shërbimet do të pranohen në e-Albania

Shërbimet kadastrale do të aplikohen vetëm online, nëpërmjet portalit qeveritar “e-Albania”. Vendimi është marrë në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave, ku specifikon dhe rregullat e trajtimit të kërkesave dhe procedura e kryerjes së pagesës për tarifat e shërbimit.

Shërbimet kadastrale do të pranohen vetëm on-line, nëpërmjet portalit qeveritar “e-Albania” dhe sistemeve elektronike të regjistruara si baza të të dhënave shtetërore.  Ky është një nga vendimet e marra në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave, i cili ka ndryshuar rregullat dhe procedurat e trajtimit të kërkesave për dokumentacion në drejtim të zyrave kadastrale.

Kërkesat që do të dërgohen për shërbime kadastrale do të regjistrohet në mënyrë automatike në regjistrin elektronik dhe do trajtohen nga drejtoria apo zyra vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. Llogaritja e afateve për marrjen e këtyre shërbimeve fillon vetëm pas ditës së konfirmimit bankar të pagesës e tarifave të shërbimit.

Në vendim thuhet se menjëherë me administrimin e dokumentacionit nëpërmjet shërbimit postar, ai i nënshtrohet digjitalizimit nga drejtoria apo zyra vendore e ASHK-së dhe, vetëm pas këtij procesi, ajo ka të drejtë të trajtojë kërkesën për shërbim kadastral në përputhje me afatet ligjore. Kështu pas botimit në fletoren zyrtare të këtyre ndryshimeve, drejtoritë dhe zyrat vendore të ASHK-së ofrojnë vetëm në mënyrë digjitale shërbimet kadastrale.

Rregullorja e re përcakton se shlyerja e detyrimeve për shërbimet kadastrale, bëhet në llogarinë bankare të drejtorisë apo zyrës vendore përkatëse të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, ku kërkohet shërbimi.