KKT konfiskon 12 objekte turistike në zonat bregdetare
Këshilli Kombëtar i Territorit në mbledhjen e ditës së mërkurë (28 dhjetor) ka marrë 7 vendime për konfiskimin e disa hoteleve, komplekseve turistike dhe godinave në disa zona bregdetare të vendit. Objektet janë zhvilluar si nga kompani, por edhe nga individë të ndryshëm.
Edhe në fund të dhjetorit, Këshilli i Territorit ka vijuar me vendimin e konfiskimit të ndërtimeve pa leje në zonat turistike dhe ato në bregdet.
Në mbledhjen e datës 28 është firmosur kalimi në administrimin e shtetit të 13 objekteve shumë katëshe, duke nisur nga ato të hotelerisë apo resorte, vlera e të cilave apo momenti i ndërtimit nuk bëhet i ditur.
Në listën e gjatë të vendimeve për konfiskim janë, një objekt 4 katësh në lagjen "24 Maji" në Bashkinë Vlorë me subjekt zhvillues shoqërinë “Fjortes" dhe të një hoteli në lagjen “Uji i Ftohtë” i shoqërisë “SAF” sh.p.k.
Më tej i njëjti vendim është për një hotel në lagjen 13 plazh në Rrashbull të Bashkisë Durrës me subjekt zhvillues Dritan Xhuran.
Shteti ka marrë edhe në një vile në zonën Hotel Turizëm- Kanali i Çukës, në grykëderdhjen e Lumit Bistrica, në Bashkinë Sarandë i kompanisë “IMMO F&M".
Do të konfiskohen edhe 6 godia 1 katëshe në Bashkinë Himarë që i përkasin Nikollaq Kokës si dhe një objekt shërbimi me vendodhje në Dhërmi me zhvillues shtetasit Arton dhe Adrian Vezi.
Gjithashtu edhe në njësinë administrative Golem të Bashkisë Kavajë, është marrë vendimi për konfiskimin e një kompleksi turistik.
Në total që prej nisjes së këtij provesi pas daljes së VKM përkatëse, numri i godinave të konfiskuara ka shkuar në 22 dhe 1 me kontrate premtim-shitje me vlerë 1 euro.
9 prej tyre janë në Tiranë, ndërsa të tjerat në Kavajë, Durrës, Vlorë, Sarandë e Himarë.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.

