Kanabis nga Tirana në kufi/ Policia ndërhyn gjatë transportimit të 58 kg kanabis, tre në pranga, dy në kërkim

Tre persona u arrestuan dhe dy të tjerë u shpallën në kërkim, pasi po transportonin nga Tirana drejt Maqedonisë së Veriut, për trafikim një sasi prej 58 kilogramë kanabis. Policia tha se lënda narkotike u kap në afërsi të fshatit Lin në Pogradec, ndërsa arrestimet janë vazhdim i operacionit të nisur në nëntor, të vitit të kaluar.

Tre persona janë arrestuar nga policia në Pogradec, me një sasi droge prej 58 kilogramë kanabis e cila po transportohej nga Tirana me qëllim trafikimin e saj, drejt Maqedonisë së Veriut.

Burimet zyrtare të policisë, thanë se në vijim të operacionit antidrogë të koduar “Restart”, nisur në 7 nëntor 2021, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme finalizuan arrestimin në flagrancë të shtetases 28 vjeçare me iniciale E. F, shtetasit me iniciale M. K., 17 vjeç, dhe 32-vjeçarin me iniciale L. B. ndërkohë policia ka shpallur në kërkim shtetasit me iniciale F. S., 30 vjeç dhe G. S., 28 vjeç, banues në fshatin Piskupat, Pogradec.

Burimet zyrtare thanë se në bazë të informacioneve se në drejtim të Maqedonisë, nëpërmjet zonës së fshatit Lin, Pogradec, do të trafikohej një sasi e konsiderueshme lënde narkotike, kanë organizuar punën dhe në Qafë Thanë kanë konstatuar automjetin tip “Volkswagen” pranë të cilit ndodhej shtetasi me iniciale L. B.

Gjatë kontrollit në brendësi të automjetit, në pjesën e bagazhit u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 58 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis.

Nga hetimet e kryera, rezulton se shtetasja E. F; dhe shtetasit M. K. e L. B., kishin kryer transportimin e lëndës narkotike nga qyteti i Tiranës në drejtim të Qafë Thanës.

Ndërkohë trafikimin e sasisë së drogës në drejtim të Maqedonisë, do ta kryenin dy shtetasit e shpallur në kërkim F. S. dhe G. S. Në fazat e mëparshme të operacionit restart, policia ka vënë në pranga edhe anëtarë të tjerë të rrjetit të trafikut,duke sekuestruar sasi të ndryshme kanabisi që ishin përgatitur për trafikim.