Situata në Veri, Kremlini “i hedh benzinë zjarrit”: Serbia po mbron të drejtat e serbëve etnikë
Rusia e cilëson atë çfarë po ndodh në veri të Kosovës një të drejtë të Serbisë për të mbrojtur serbët etnikë në territorin e Kosovës.
Nga ana tjetër, Kremlini Zyrtar hodhi poshtë pretendimet e Kosovës se Rusia po e shtyn Serbinë që ta destabilizojë situatën në Kosovën.
I pyetur lidhur me deklaratat e ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, se Serbia, nën ndikimin e Rusisë, po synon të destabilizojë Kosovën, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se “është krejtësisht e gabuar” që të flitet për ndikimin destruktiv rus.
Ministri Sveçla deklaroi më 27 dhjetor se Serbia është ndikuar nga Rusia kur ka marrë vendimin që të rrisë në nivelin më të lartë gatishmërinë luftarake të forcave ushtarake dhe policore.
“Deklarimet se Republika e Kosovës ka ngritur gjendje gatishmërie janë tërësisht të pavërteta dhe janë pjesë e propagandës së dyshes Serbi- Rusi”, tha ai, duke hedhur poshtë pretendimet e zyrtarëve serbë se Kosova po ashtu ka rritur nivelin e gatishmërisë luftarake.
Serbia ka mohuar se po tenton të destabilizojë Kosovën dhe ka argumentuar se po mbron serbët që jetojnë në Kosovë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, deklaroi të martën se Serbia do të “vazhdojë të luftojë për paqe dhe kërkon një zgjidhje kompromisi”.

