Kurti paralajmëron ndërhyrjen: Barrikadat, të papranueshme, nuk do të tolerohen. KFOR-it po i kalon koha
Albin Kurti ka përjashtuar çdo mundësi dialogu me Listën Serbe për barrikadat në veri. Ai ka thënë se rrugët po bllokohen nga banda të armatosura, me të cilat nuk do të diskutohet. Nga mbledhja e qeverisë, kryeministri kosovar paralajmëroi edhe arrestime në veri të vendit ndërsa shtoi se personat në listën e zezë të SHBA-së dhe Britanisë, mbështeten dhe përdoren nga Beogradi për cënimin e integritetit territorial të Kosovës.
Prej 10 dhjetorit serbët në veri të Kosovës kanë vendosur barrikada duke bllokuar përkohësisht dy pika të tjera kufitare me Serbinë, atë në Jarinjë dhe Bërnjak, ndërkohë që prej dje është bllokuar dhe Merdara.
Rruga Prishtinë-Nish, që kalon përmes Merdares, përdoret për qarkullim nga diaspora e Kosovës, por edhe nga serbët që jetojnë në jug të Lumit Ibër.
Në mbledhjen e qeverisë Kurti i përcolli mesazhin KFOR të ndërhyjë pasi koha që ka në dispozicion për të hequr barrikadat po shterron në të kundërt do të ndërhyjë për ti hequr vetë Kosova.
“Vendosja e barrikadave në rrugë është veprim i paligjshëm dhe i papranueshëm dhe nuk do të tolerohet. Në përputhje me vlerësimet e sigurisë ne i kemi dhënë KFOR kohën e hapësirën e nevojshme por kjo kohë po shkon me shpejtësi. Ne kemi bashkëpunim e bashkërendim me KFOR prandaj dhe kjo kohë e hapësirë e nevojshme që i është dhënë KFOR por duhet të kuptohet që nuk mund të qëndrojnë edhe barrikadat në rrugë dhe parimi i lëvizjes së lirë.“
Sa i takon sigurisë së Kosovës, duket që janë marrë masa për të forcuar sigurinë.
“Janë rekrutuar gjatë vitit 820 ushtarë të rinj dhe 30 kadetë. Aktualisht jemi në proces rekruitmi të 612 ushtarëve aktivë dhe 338 pjesëtarëve të komandës rezervë”, theksoi kreu i Ekzekutivit të Kosovës.
Ndërkohë Serbia tha dje se ka vënë në "gjendje të gatishmërisë ushtarake” trupat e saj të sigurisë afër kufirit me Kosovën dhe presidenti Vuçiç vizitoi mbrëmë anëtarët e Forcave të Armatosura në një garnizon në Raska së bashku me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe, Milan Mojsiloviç.
Kosova synon anëtarësimin në NATO dhe ushtria e Kosovës është pjesëmarrëse në stërvitjet e NATO-s.
