Osmani si Zelenksi, shfaqet me rroba ushtarake: FSK është e gatshme dhe e përgatitur

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është parë për herë të dytë e veshur me rroba ushtarake. Komandantja Supreme e Ushtrisë së Kosovës ka mbajtur fjalim vjetor para ushtarëve të Forcave Speciale të Kosovës në kazermën e Istogut.

Në ketë ceremoni të adresimit vejtor, Osmani është parë bashkë me bashkëshortin e saj, Prindon Sadriu, i cili është pjesë e FSK-së.

Osmani tha se betimi që ushtarët kanë bërë për t’i shërbyer atdheut është më i shenjtë se çdo gjë tjetër.

“Viti që po lëmë pas u përcoll me sfida jo vetëm për ne, por edhe për botën. Duhet të jemi të vetëdijshëm që sfidat do të rriten krahas me përpjekjet për ta sfiduar paqen dhe rendin botëror nga regjimet  autoritare hegjemoniste. Prandaj, më shumë se kurrë na duhet devotshmëri ndaj atdheut, vigjilencë e përkushtim që Republikës t’i bëhemi gardianë”, tha Osmani.

Presidentja e Kosovës u shpreh se është dosmosdoshmëri forcimi i kapaciteteve mbrojtëse.

“Kjo gatishmëri e juaja për ta mbrojtur vendin nga çdo rrezik na bën krenar secilin. Është nder e privilegj sa herë jam në mesin tuaj. Mbi të gjitha djemtë e vajzat e forcës sonë janë të gatshëm për të mbajtur integritetin territorial e sovranitetin e shtetit tonë. Ju shquheni për përkushtimin ndaj vendit, për nivelin profesional, për disiplinë e përkushtim ndaj detyrës, për nderin ndaj vendit tuaj. Kjo na bën krenar ne si shtet”, u shpreh presidentja.

Ndërkohë kryeministri, Albin Kurti, mblodhi qeverinë, nga ku tha se afatit të KFOR-it për të larguar barrikatat e ngritura në veri po i vjen fundi.

“I kemi dhënë kohën dhe hapësirën e nevojshme KFOR-it për të vepruar, por kjo kohë po shteron me shpejtësi. Ne kemi bashkëpunim dhe bashkërendim me KFOR-in dhe kjo kohë dhe hapësirë e nevojshme i është dhënë KFOR-it, por një gjë duhet të kuptohet se nuk mund të qëndroj edhe parimi i lëvizjes së lirë dhe barrikadat në rrugë që e pengojnë lëvizjen e lirë”, tha Kurti.

Ndërsa qeveria Kurti diskutonte situatën, doli lajmi se ish-polici serb Dejan Pantiç, arrestimi i të cilit nxiti ngritjen e barrikadave në veri të Kosovës, ishte liruar.

Albin Kurti nuk e fshehu zhgënjimin me drejtësinë.

“Unë nuk e di këtë çështjen gjyqësore procedurale të atij që është i pandehur dhe mbahej në Jarinje për shkak se nuk mund të dërgohej në burg zyrtar në qëndrim të paraburgimit. Ai ka statusin e të paraburgosurit dhe pa statusin e të pandehur për terrorizëm. Ajo çfarë unë kam dëgjuar është se meqenëse ishte në grevë të urisë dhe kishte probleme me zemër do të mund të dërgohej në spital e që është e kuptueshme e sa është e arsyeshme e vendos gjyqësori. Kur ke akuzë për terrorizëm e të dërgohesh në arrest shtëpiak unë jam shumë kureshtar ta marr vesh se cili është ai prokuror që e bënë këtë kërkesë dhe cili është ai gjyqtar që e aprovon”, deklaroi Kryeministri.

Sa i takon sigurisë së Kosovës, duket që janë marrë masa për të forcuar sigurinë.

“Janë rekrutuar gjatë vitit 820 ushtarë të rinj dhe 30 kadetë. Aktualisht jemi në proces rekruitmi të 612 ushtarëve aktivë dhe 338 pjesëtarëve të komandës rezervë”, theksoi kreu i Ekzekutivit të Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e sotme të Qeverisë.

Ndërkohë Serbia tha dje se ka vënë në "gjendje të gatishmërisë ushtarake” trupat e saj të sigurisë afër kufirit me Kosovën dhe presidenti Vuçiç vizitoi mbrëmë anëtarët e Forcave të Armatosura në një garnizon në Raska së bashku me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe, Milan Mojsiloviç. 

Kosova synon anëtarësimin në NATO dhe ushtria e Kosovës është pjesëmarrëse në stërvitjet e NATO-s.

Në ditën e 19 te tensioneve në veri, Serbët lokalë kanë bllokuar rrugët që të cojnë në tre pika kufitare dhe lëvizjen në Mitrovicë të Veriut!

Pas luftës së deklaratave, nga Prishtina në Beograd, presidenti Serb ka vënë ushtrinë në gjendje gadishmëri ne kufi me Kosovën, ndërsa po sfidon hapur NATON dhe diplomatët që kërkojnë uljen e tensioneve.