Barrikadat në veri të Kosovës, ish-kryeministri Hoti: BE-ja dhe SHBA-ja të bëjnë presion te Serbia
Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në një postim në Facebook thotë se cilat janë mënyrat që do të çojnë në normalizimin e situatës në veri të Kosovës, të cilin ai e quan si ‘kurthi i Serbisë’.
Hoti thotë se duhet të kërkohet me ngulm nga BE-ja dhe SHBA-ja të bëjnë presion tek Serbia që të mos pengohen dhe të mos rrezikohen qytetarët kosovarë që kalojnë nëpër Serbi. Ai gjithashtu bënë thirrje që mos të përdoren termat “luftë” e “konflikte”.
“Veprimet që nxjerrin Kosovën nga kjo kurthë e Serbisë:
1. Hiqni barrikadat në veri në bashkëpunim me KFOR-in. I keni lënë të zënë vend tepër gjatë.
2. Kërkoni me ngulm nga BE-ja dhe SHBA-ja të bëjnë presion tek Serbia të mos pengohen dhe të mos rrezikohen qytetarët tanë që kalojnë nëpër Serbi.
3. Ruajeni paqen fuqishëm. Tregoni gatishmëri për dialog dhe zgjidhje paqësore. Dëgjoni këshillat e miqve për veprimet që duhet ndërmarrë në kuadër të dialogut.
4. Mos përmendni luftë e konflikte. Luftën e kemi paguar shtrenjtë, por e kemi fituar me ndihmën e miqve. Rreziku është të humbim në paqe për shkak të humbjes së mbështetjes nga miqtë tanë”, shprehet Hoti në reagimin e tij përmes rrjeteve sociale.

