Rusia ultimatum Ukrainës: Kërkesat tona do të çohen në vend nga ushtria
Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov, iu përgjigj me ultimatum dhe kërcënime propozimit të Ukrainës për një samit paqeje nën ndërmjetësimin e OKB-së. kryediplomati rus ka thënë se rruga e vetme është plotësimi i kërkesave të kremlinit për të cilat filloi lufta. Nëse ato nuk realizohen me paqe, sipas tij do të veprojë ushtrua. Ndërkaq Rusia ka ndërmarrë sulme të reja në gjithë Ukrainën
Rusia i është përgjigur me ultimatum dhe kërcënime deklaratës së Ministrit të Jashtëm ukrainas Dmitry Kuleba, për idenë e mbajtjes së një samiti për paqe në ndërmjetësimin e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së.
Përfaqësuesi i rusisë në OKB ka thënë se samiti nuk mund të imagjinohet pa praninë e Kremlinit, ndërsa Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov duke folur për temën e bisedimeve të paqes, pa përmendur drejtpërdrejt samitin e propozuar nga Ukraina, ka thënë se nëse kërkesat e Kremlinit nuk plotësohen, atëherë do të veprojë ushtria.
"Propozimet tona për "çmilitarizimin" dhe "denazizimin" e territoreve të kontrolluara nga regjimi, eliminimin e kërcënimeve ndaj sigurisë së Rusisë që burojnë prej andej, janë të njohura për armikun. E vetmja gjë që ka mbetur, është t'i kryejmë ato në mënyrën më të mirë të mundshme. Përndryshe, çështja do të vendoset nga ushtria ruse", ka thënë me tone ultimatum, kreu i Ministrisë së Jashtme në Moskë.
Deklaratat vijnë në një kohë kur sulmet ruse në Ukrainë kanë vijuar pa ndalim gjatë dhe pas Krishtlindjes.
Forcat ruse kanë nisur sulme të reja ndaj qyteteve në lindje të Ukrainës, Bahmut dhe Avdijavka, duke u mbështetur nga zjarri i artilerisë. Sulmet e reja ndodhin teksa presidenti ukrainas, Volomdymyr Zelensky, tha se 9 milionë civilë janë në errësirë dhe në të ftohtë, pasi Moska ka goditur linjat elektrike dhe infrastrukturën civile.
Shtabi ukrainas theksoi se forcat ruse kanë kryer dy sulme ajrore dhe 44 sulme me raketa, ndaj pozicioneve ukrainase dhe zonave të banuara gjatë 24 orëve të fundit. Sipas shtabit, janë goditur 25 vendbanime në Donjeck ndërkohë që Luhansku dhe Harkivi janë dy rajonet e tjera, ku Rusia po sulmon vazhdimisht.
Në rajonin jugor të Hersonit, Rusia ka bombarduar zonat e banuara në pjesën e djathtë të Lumit Dnjepër.
