9 milionë njerëz në të gjithë Ukrainën pa energji elektrike, rrezikohen të sëmurët në spitale
Mungesa e vazhdueshme e energjisë elektrike po u kërcënon jetën ukrainasve, jeta e cilëve varet nga pajisjet mjekësore. Autoritetet raportojnë se të paktë 9 milionë njerëz në të gjithë Ukrainën, vuajnë mungesën e furnizimit me energji elektrike.
Ndërprerjet e vazhdueshme të energjisë elektrike paraqesin një rrezik potencialisht vdekjeprurës për ukrainasit, të cilët për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore janë të varur nga funksionimi i pajisjeve mjekësore.
Për Olena Isayenko, tingulli që shkakton aparatura e saj e oksigjenit kur dritat ikin është shumë më i frikshëm se sirenat e sulmit ajror që dëgjohen në të gjithë Kievin.
Ajo nuk mund të marë frymë në mënyrë vetë, prandaj ka nevojë për një burim të vazhdueshëm oksigjeni përmes një ventilatori elektrik, i cili e mban gjallë.
Por sulmet e përsëritura ruse në rrjetin elektrik të Ukrainës, i kanë rrezikuar jetën, teksa kryeqyteti përjeton ndërprerje të gjata të energjisë.
Ndërkohë Presidenti ukrainas Zelensky, tha se vijat e para të luftës pranë Bakhmutit, Kreminës dhe zonave të tjera në rajonin lindor të Donbasit, paraqesin një situatë shumë të vështirë dhe të dhimbshme.
“Rreth 9 milionë njerëz vuajnë mungesën e energjisë elektrike në të gjithë Ukrainë, numri dhe kohëzgjatja e ndërprerjeve do të zvogëlohet gradualisht. Ne po përgatitemi për vitin e ardhshëm, ka kërcënime që duhen eliminuar dhe hapa që duhen marrë. Shteti do t’i bëjë patjetër,” tha ai.
Sulmet e vazhdueshme dhe të përhapura të Rusisë në rrjetin energjetik të Ukrainës kanë lënë, të paktën përkohësisht, miliona civilë pa energji elektrike, ngrohje, ujë dhe shërbime të tjera kritike, përgjatë muajve të ftohtë të dimrit dhe vetëm 3 ditë larg ndërrimit të viteve.

