Spanjë, autobusi përfundon 30 metra poshtë në lumë, 7 të vdekur, dy të shpëtuar

Shërbimet e urgjencës në Spanjë kanë konfirmuar vdekjen e shtatë pasi një autobus u rrëzua nga një urë në një lumë në prag të Krishtlindjeve, më 24 dhjetor.
Ekipet e shpëtimit morën trupin e një gruaje nga lumi Lerez në rajonin veriperëndimor të Galicisë të hënën, ndërsa gjithsej mbetën të vdekur 7 persona.
Dy persona, duke përfshirë shoferin, u lënduan pasi autobusi që udhëtonte nga Lugo në Vigo ra nga një lartësi prej rreth 30 m në lumin me rrjedhje të shpejtë.
Zyrtarët thonë se moti i keq mund të ketë shkaktuar aksidentin.
Ata thonë se shoferi i autobusit ka rezultuar negativ për alkool dhe drogë.

Ekipet e shpëtimit fillimisht përfunduan kërkimin e tyre pranë fshatit Pedre, jo shumë larg kryeqytetit rajonal të Galicisë, Santiago de Compostela, në ditën e Krishtlindjes (e diel) pasi gjetën gjashtë trupa.
Por ata rifilluan operacionin pasi një pasagjer i mbijetuar tha se një shoqe me të cilën kishte udhëtuar nuk ishte në listën zyrtare të viktimave.
Gruaja nuk ishte raportuar e zhdukur pasi askush nuk e kishte pritur, tha një zëdhënës i policisë së Guardia Civil për agjencinë e lajmeve AFP.
Trupi i saj u pa nga një helikopter në lumë mëngjesin e së hënës.
Shërbimet e urgjencës u alarmuan fillimisht për incidentin nga një shofer që kalonte, i cili u tha atyre se një pjesë e pengesës së sigurisë së urës mungonte.
Vetëm pak minuta më vonë, një nga të mbijetuarit i thirri nga brenda autobusit pasi po mbushej shpejt me ujë.
Kjo ndihmoi ekipet e shpëtimit për të gjetur me shpejtësi vendin e rrëzimit.

